Kryeministri Haradinaj dhe drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim i KE, Christian Danielsson – Foto: KALLXO.com

Reformat, Kërkesa Kryesore e Komisionit Europian

Drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim i Komisionit Europian, Christian Danielsson, ka thënë se që Kosova të avancojë në rrugën europiane duhet të realizojë një sërë reformash në ekonomi, arsim, administratë publike dhe në sitemin e drejtësisë.

“E di që është rrugë sfiduese për reformat në ekonomi, sistem të arsimit e shtyrjen përpara të strategjisë për energjinë. Programi qeveritar i adreson çështjet e reformave të Kosovës dhe ne do të japim përkrahje”, tha Danielsson gjatë konferencës për media bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj.

Danielsson tregoi se nga viti 1999 Komisioni Europian ka mbështetur Kosovën me 2.5 miliardë euro.

Ky i fundit e ka përmendur Agjendën Europiane për Reforma, e cila njihet si ERA, si dokument të rëndësishëm si bazë e reformave që duhet të bëhen.
Ndërkaq Haradinaj tha se reformat në gjyqësor paraqesin interes direkt të Kosovës.

Ai duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve rreth unionit doganor dhe shtrenjtimit të mundshëm të energjisë elektrike, deklaroi se është e vështirë për Kosovën që të marrë pjesë në një bashkim doganor me shtetet e rajonit duke e ditur se ka “raporte të vështira me disa fqinj”.

Ndërsa rreth shtrenjtimit të mundshëm të rrymës ai premtoi se nuk do të ndodhë një gjë e tillë.

Danielsson ka takuar edhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, të cilin e ka siguruar se BE do të mbështesë Kosovën në shtyrjen e proceseve integruese përpara, derisa ka njoftuar edhe për lansimin e programit për reforma ekonomike të cilin e bëri sot me kryeministrin  e vendit, Ramush Haradinajn.

Ndërsa, kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se populli i Kosovës është europian dhe perëndimor, derisa ka ritheksuar se prioriteti strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE.

Veseli ka thënë se paratë e përfituara nga marrëveshja IPA do të investohen në fushën e inovacionit, në arsim si dhe në përmirësimin e sistemit të drejtësisë.