Haradinaj: Letra e liderëve dërguar KiE-së s’është formalitet, ajo përfshin obligime konkrete

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nuk e konsideron si formalitet letrën që është raportuar t’ia kenë dërguar tre liderët e Kosovës raportueses së Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai ka theksuar se është e kuptueshme që kjo letër mund të jetë standarde para aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por kurrsesi të konsiderohet vetëm si formalitet,, meqë sipas tij, “gama e zotimeve në këtë letër është shumë e gjerë dhe kërkon obligime konkrete”.

Sipas Haradinajt, tre krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, zotohen se do të zbatohen të gjitha nenet e marrëveshjeve të Brukselit të Ohrit, përfshirë atë për Asociacionin.

“Pyetja është, pse kanë pasur nevojë që deri me tash ta zhagisin zbatimin e kësaj marrëveshjeje e të thonë herë e zbatojmë herë nuk e zbatojmë”, ka shkruar Haradinaj.

Tutje, sipas tij, thuhet se liderët institucionalë zotohen se “do të respektohet pavarësia e gjyqësorit dhe do të hiqet dorë nga kritikat e tepruara ndaj gjyqësorit”.

Kjo, sipas tij, dmth se ata zotohen të heqin dorë nga diçka që e kanë aplikuar deri më tash.

“Aty thuhet ‘Të përmbahemi nga kontrolli i Kosovës speciale në veri për detyrat e zakonshme policore e të kontrolluarit se ato dislokohen vetëm në rast nevoje’, që i bie se deri me tash nuk e kanë zbatuar këtë standard që aq shpesh kërkohet. nga aleatët tanë” – thekson Haradinaj.

Krerët e shtetit, sipas tij, zotohen gjithashtu për shpronësimet në veri, për mbrojtjen e pronave të Kishës Ortodokse Serbe, për integrimin e pakicave, për gjuhët e tyre, shkollim tekstet e tjera me radhë.

Për Haradinajn, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është hap i rëndësishëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është ngjarje e madhe dhe hap i rëndësishëm drejt integrimit në BE dhe ndoshta letra e zotimeve drejtuar Bakojanis përfshihet në këtë kuadër, por është e habitshme se si liderët institucionalë të Kosovës, deri me tash kanë shpërfillur kërkesat e njëjta nga nivele shumë të larta të ShBA dhe BE, dhe pikërisht për këtë sot jemi edhe nën sanksione, edhe në marrëdhënie shumë të acaruara me ShBA e BE, edhe të detyruar t’i përsërisim zgjedhjet në veri, edhe të merremi me dinarin, edhe në pozitën më të keqe të mundshme në procesin e dialogut me Serbinë”, ka shkruar Haradinaj.

 

Këshilli i Evropës i themeluar më 1949  është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Kjo organizatë luan rol të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian duke mbështetur vendet e interesuara në kryerjen e reformave në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për aq sa këto reforma janë të nevojshme për mbylljen e zgjerimit.