QKSS prezanton raportin për incidentet e kërcënimeve - Foto: KALLXO.com

QKSS: Për 9 Vjet, 73 Incidente të Kërcënimeve Politike e Fetare

Për rreth një dekadë, nga shkurti 2008 deri në qershor 2017, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, QKSS, ka regjistruar 73 incidente të kërcënimeve, që i bie mesatarisht më pak se 8 raste në vit.

Këto incidente sipas hulumtimit të QKSS-së, ndahen në kërcënime të natyrës politike dhe fetare.

Florian Qehaja, drejtor ekzekutiv i QKSS-së, gjatë publikimit të raportit me titull “Vlerësimi i rreziqeve në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë – Shkurt 2008 – Qershor 2017”, tha se që nga shpallja e pavarësisë, kanë regjistruar të gjitha incidentet terroriste ekstremiste që kanë ndodhur në territorin tonë.

Sipas tij, për këtë periudhë 9-vjeçare del se më shumë ka pasur incidente të karakterit politik sesa religjioz.

Ndërsa ka cekur se kanë pasur sfidë të madhe për t’i identifikuar incidentet që kanë ndodhur në këtë periudhë dhe për t’i klasifikuar ato.

“Më shumë ka rastisur të kemi incidente të karakterit politik sesa religjioz”, tha Qehaja.

Prezantimin e këtij raporti e ka bërë hulumtuesi i QKSS, Skender Perteshi, i cili tha se nga 73 incidentet e regjistruara të kërcënimeve del se rreth 62 për qind ishin politike dhe 36 për qind ishin të natyrës fetare.

“Nga 73 incidentet e regjistruara të kërcënimeve në databazën e QKSS-së, shumica ose afër 62 për qind ishin politike, ndërsa rreth 36 për qind ishin të natyrës fetare. Po ashtu, vlerësimi tregon se normat e ekzekutimit në mesin e të gjitha kërcënimeve të regjistruara, ishin shumë më të larta në llojin politik të kërcënimeve sesa në atë fetar. Afro 80 për qind e kërcënimeve të ekzekutuara ishin të natyrës politike, ndërkohë që afro 70 për qind e kërcënimeve të paekzekutuara ishin të natyrës fetare”, tha Perteshi duke shtuar se vetëm dy kërcënime të tjera kanë mbetur të panjohura për sa i përket motivit dhe qëllimit të tyre.

Perteshi, tregoi se që nga viti 2014, incidentet e kërcënimit me bazë fetare janë më të mëdha krahasuar me vitet e kaluara.

“Qysh nga dalja e DAESH-it në vitin 2014 dhe shfaqja e fenomenit të luftëtarëve të huaj, incidentet e kërcënimit me bazë fetare marrin pjesë më të madhe krahasuar me vitet e kaluara. Megjithatë, pavarësisht kësaj, këto incidente mbesin të nënpërfaqësuara krahasuar me incidentet e kërcënimeve të motivuara politikisht”, u shpreh Perteshi.

Në raport thuhet gjithashtu se në indeksin mesatar trevjeçar të terrorizmit global (2014- 2016)  Kosova renditet në vendin e 11-të, në listën e 22 vendeve në analizë.

“Kosova renditet më ulët në indeksin e terrorizmit kërcënim më i ulët, sesa vendet europiane si Norvegjia, Gjermania, Suedia, Italia, Mbretëria e Bashkuar, apo të tjera si ShBA dhe Turqia. Në të njëjtën kohë, renditet më lart sesa vendet e tjera të Ballkanit, si Serbia, Bosnja, Shqipëria dhe disa vende të tjera europiane”, thuhet në raport.

Në ndërkohë, gjatë prezantimit të raportit thuhet se vetëm mes viteve 2012 dhe 2017, rreth 315 qytetarë të Kosovës kanë udhëtuar për në zona të konfliktit në Siri dhe Irak.

“Prej tyre, më se një e treta tashmë janë kthyer në Kosovë. Një e treta tjetër besohet të jetë ende në zonat e konfliktit, duke përfshirë dhjetëra joluftëtarë, ndër të cilët ka shumë gra dhe fëmijë, ndërsa rreth 60 individë besohet se kanë humbur jetën”, thuhet në raport.

Në panel e pranishme ishte edhe ambasadorja holandeze Gerrie Willems, e cila tha se të gjeturat e raportit tregojnë se Kosova nuk është shumë e kërcënuar nga terrorizmi. Por, gjithsesi, sipas saj, Kosova duhet të punojnë për parandalim të terrorizmit.