Hulumtimi: Radikalizmi etno-politik një shqetësim në rritje për sigurinë në Ballkan

Një hulumtim i një konsorciumi prej 13 organizatave nga 12 vende, në të cilën bën pjesë edhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë(QKSS), thotë se një shqetësim në rritje për sigurinë është radikalizmi etno-politik, që rrjedh kryesisht nga dështimi për tu marrë me të kaluarën dhe përpjekjet për revizionizëm.

Hulumtimi ka përfshirë edhe Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Raporti tregon se për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut një shqetësim në rritje për sigurinë është radikalizimi etno-politik, që rrjedh kryesisht nga dështimi për t’u marrë me të kaluarën dhe përpjekjet për revizionizëm.

Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv i QKSS-së, ka thënë se hulumtimi tregon se komunitetet si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut perceptojnë se radikalizimi etno-politik paraqet rrezik më të madh për paqen shoqërore në krahasim me format e tjera të radikalizimit.

“Megjithatë, ato nuk janë reciprokisht ekskluzive. Mediat online janë një mekanizëm i fuqishëm për proceset radikalizuese, kanalet tradicionale të medias, si p.sh debatet televizive, kanë shumë ndikim në formësimin e opinionit publik. Si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut, rastet e mediave kombëtare që diskutojnë një çështje me interes publik nga këndvështrimi i të gjitha komuniteteve mbeten të rralla”, citohet të ketë thënë Vrajolli.

Një hulumtues nga QKSS që kontribuoi në raport, Ardit Orana, thotë se shoqëria civile në të dy vendet luan një rol vendimtar në nxitjen e qëndrueshmërisë së komunitetit ndaj radikalizimit etnopolitik.

Ai ka shpjeguar se politikat e qeverisë kundër radikalizimit duhet të decentralizohen për t’u dhënë më shumë kompetencë dhe autoritet komunave.

Raporti thotë se në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, edukimi, përfshirë arsimimin mediatik, shihet si një shtyllë për qëndrueshmërinë e komunitetit ndaj çdo forme të radikalizimit, ndërsa mungesa e programeve të mira për zhvillimin e aftësive të të menduarit kritik tek nxënësit e shkollave të mesme konsiderohet si një faktor që krijon cenueshmërisë ndaj radikalizimit.

Raportin e plotë mund ta gjeni KËTU.