QKSS: Mungesa e vënies së ligjit kundër korrupsionit dhe mbrojtjes së sinjalizuesve pengon integritetin e Policisë së Kosovës

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar raportin “Gjendja aktuale e integritetit në Policinë e Kosovës”.

Ky raport sipas QKSS pasqyron legjislacionin aktual, instrumentet ligjore, parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, si dhe mangësitë ligjore në këtë drejtim.

Në raport theksohet se fakti që institucionet nuk kanë arritur të përmirësojnë infrastrukturën ligjore kundër korrupsionit dhe deklarimit të pasurisë, si dhe miratimit të legjislacionit dytësor për sinjalizuesit tregon mungesë përkushtimi dhe vullneti politik për formim të integritetit të institucioneve, përfshirë edhe Policinë.

Raporti madje i ka adresuar Policisë një pako me rekomandime për forim të integritetit, ku synohet avancim i masave kundër korrupsionit.

Më poshtë keni njoftimin e plotë të QKSS:

“QKSS ka publikuar sot raportin “Gjendja aktuale e integritetit në Policinë e Kosovës” i mbështetur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur. Kosovo Foundation for Open Society (KFOS)në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit në Policinë e Kosovës”.
Ky raport pasqyron legjislacionin aktual, instrumentet ligjore dhe procedurat ligjore për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, si dhe një analizë që synon identifikimin e hendekëve dhe mangësive në kornizën aktuale ligjore në këtë drejtim.
Fakti që institucionet e Kosovës nuk kanë arritur ta përmirësojnë legjislacionin kundër korrupsionit sa i përket deklarimit të pasurisë dhe të miratojnë legjislacionin dytësor për sinjalizuesit, tregon mungon përkushtimi dhe të vullnetit politik për forcimin e integritetit të institucioneve shtetërore, përfshirë Policinë e Kosovës.
Në këtë pjesë mbi kornizën ligjore, raporti analizon legjislacionin për çështjet e integritetit dhe kundër korrupsionit të lidhura në mënyrë specifike me Policinë e Kosovës. Ligji për Policinë dhe legjislacioni dytësor i Policisë së Kosovës përcaktojnë parimet e integritetit dhe procedurën e standardizuar të Policisë së Kosovës.
Procesi i hartimit të Rregullores për Integritetin në Policinë e Kosovës është iniciuar, por deri më tash (dhjetor 2020) nuk ka informacion nëse Rregullorja është miratuar nga institucionet përkatëse.
Marrë parasysh gjendjen e praktikave të integritetit në Policinë e Kosovës, ky raport i adreson Policisë së Kosovës një pako rekomandimesh specifike për forcimin e integritetit, duke synuar zhvillimin profesional të institucionit dhe avancimin e masave kundër korrupsionit”.