Burgu i Dubravës (Ilustrim)

Shumë sfida për Shërbimin Sprovues të Kosovës në ri-integrimin dhe rehabilitimin e të burgosurve për terrorizëm

Shumë sfida dhe nevoja janë identifikuar në një hulumtim të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë për Shërbimin Sprovues të Kosovës, të cilët merren me rehabilitimin dhe ri- integrimin e të burgosurve për vepra të ndryshme penale por edhe ata që janë të dënuar për terrorizëm.

Procesi i ri- integrimit dhe rehabilitimit për institucionet e drejtësisë dhe sigurisë, ka qenë fenomen i ri me të cilin është përballur Kosova, fillimisht disa vite më parë. Trajtimi i të rikthyerve nga zonat e konfliktit, ata që janë të dënuar për ekstremizëm dhe terrorizëm, rehabilitimi dhe ri- integrimi i tyre mbetet ende sfidë për shumë institucione në Kosovë, specifikisht edhe për Shërbimin Sprovues.

Hulumtimi i QKSS-së, zbardh se stafi i Shërbimit Sprovues të Kosovës kanë mungesë të njohurive bazë për rehabilitimin dhe ri- integrimin e të dënuarve për terrorizëm.

“Ky institucion përballet me mungesë të përvojës se cila është qasja e duhur për t’i trajtuar rastet e të dënuarve për terrorizëm”, thuhet në raportin e QKSS-së, autor i të cilit është Skender Perteshi.

Të dënuarit për terrorizëm duhet të kenë një trajtim të veçantë për shkak të specifikave që ka kjo problematikë sidomos në aspektin ideologjik dhe psikologjik.

“Mungesa e njohurive për hartimin e programeve të rehabilitimit dhe ri- integrimit për të akuzuarit për terrorizëm limiton suksesin e ShSK-së për trajtimin e rasteve të akuzuar për terrorizëm çka do ta bënte më të lehtë procesin e integrimit në komunitetin e të dënuarve për vepra të terrorizmit”, thuhet në raport.

Një tjetër e gjetur nga QKSS është edhe numri i limituar i stafit të Shërbimit Sprovues të Kosovës për kryerjen e punëve sipas mandatit ligjor.

Kjo mungesë sipas QKSS limiton mundësitë që të dënuarit për terrorizëm të trajtohen profesionalisht për shkak të mungesës së stafit të specializuar që merret me rehabilitim dhe ri- integrim.

“Asnjë zyrtar aktual i cili menaxhon me trajtimin e të dënuarve për vepra që lidhem me ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin nuk është i specializuar në fushën, apo në rehabilitim dhe ri-integrim të të rikthyerve nga zonat e luftës”, thuhet në raport.

Shërbimi Sprovues i Kosovës përballet edhe me mungesën e buxhetit të veçantë për rehabilitim dhe ri-integrim ashtu siç përballen edhe shumë institucione të tjera.

“Mungesa e buxhetit të dedikuar për rehabilitim dhe ri-integrim limiton këtë institucion në zbatimin e programeve për personat e dënuar për vepra të terrorizmit”, vazhdon raporti i QKSS-së.

Raporti vë në pah edhe që Shërbimi Sprovues i Kosovës është shumë pak i përfshirë në procesin e zbatimit të rehabilitimit dhe ri-integrimit ku përfitues janë gratë e dënuara me kusht për vepra të terrorizmit apo edhe ish – luftëtarët e huaj të liruar me kusht.

Në raportin e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë janë vendosur edhe disa rekomandime për përmirësimin e procesit të trajtimit, rehabilitimit dhe ri-integrimit të të rikthyerve nga zonat e konfliktit që janë të dënuar, ata që janë dënuar dhe janë liruar me kusht si dhe grave që janë dënuar me kusht.

QKSS ka rekomanduar rritje të numrit të stafit dhe trajnime të specializuara për Stafin Sprovues të Kosovës. Gjithashtu një rekomandim është edhe themelimi i njësisë për menaxhimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe rehabilitimit.

ShSK sipas QKSS-së, duhet të alokojë buxhet të veçantë për rehabilitim dhe ri-integrim, të përmirësoj koordinimin institucional si dhe të bashkëpunoj me komunitetin.

Raporti i QKSS është përkrahur nga Ambasada e Holandës.

Në konferencën e sotme të QKSS-së, në të cilën u publikua ky raport, ishin të pranishëm, zyrtarë të ndryshëm të institucioneve në Kosovë si dhe pjesëtar të shoqërisë civile.