Ndertesa e qeverisë, Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla

Qeveria: Lojëra të Ulëta të Serbisë

Pasi Gjykata e Colmar-i në Francë vendosi që ta shtyjë deri më 6 prill vendimin ndaj kërkesës ekstraduese të Serbisë për Ramush Haradinajn, reagoi Qeveria e Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se shtyrja e sërishme e vendimit për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, është dëshmi e keqpërdorimit të drejtësisë nga Serbia, e cila në emër të informatave shtesë, po zvarrit një proces të ndërtuar mbi akuza të fabrikuara, përmes rrugëve të paligjshme dhe me synime degraduese për tërë popullin e Kosovës” thuhet në reagimin e ekzekutivit kosovar.

Qeveria shtyrjen e vendimit e lidh me “lojërat e Serbisë për përfitime të brendshme politike”.

“Përmes këtyre lojërave të ulëta, për përfitime të brendshme politike, Serbia, duke keqpërdorur drejtësinë, po përpiqet të dëmtojë po ashtu imazhin dhe personalitetin e ish–kryeministrit Ramush Haradinaj, të qytetarëve të Kosovës dhe shtetin e Kosovës”, vijon reagimi qeveritar.

Qeveria në reagim shpreh besimin se “drejtësia franceze nuk do të tolerojë një gjendje të tillë”.

Sot gjykata në qytetin Colmar të Francës kërkoi nga Serbia informata shtesë në lidhje me kërkesën e saj ekstraduese për Ramush haradinajn, duke shtyrë vendimin rreth kësaj kërkese deri më 6 prill.

Haradinaj tha sot pas seancës ndaj tij se “është një peng politik”.

http://kallxo.com/haradinaj-ne-france-deri-6-prill/

Ndaj vendimit të sotëm të gjykatës franceze reagoi edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

http://kallxo.com/aak-perpjekje-per-menjanim-politik-te-haradinajt/