Qeveria greke kërkon emër të ri për Maqedoninë

Propozimi, të cilin e shpalosi kryeministri Zaev, është bazë e shkëlqyeshme për zgjidhjen e çështjes së emrit, mendon zvëvendëskryeministrja, Radmilla Shekerinska.

Ajo tha se qëllimi që të gjendet një zgjidhje pozitive për të dy vendet, është arritur me këtë propozim. Shekerinska mendon se ky propozim është i mirë nga disa aspekte, së pari, paraqet një përcaktim kohor, ndërsa nga ana tjetër, tregon se Maqedonia nuk ka pretendime territoriale.

“Kishim pako-zgjidhje për të cilën janë dakorduar të dy ministrat për konsultime të brendshme, ato konsultime i kemi bërë në qeveri. Të dy kryeministrat, kanë arritur harmonizim për një pako – zgjidhje të këtillë dhe mendojmë se kjo pako jep përgjigje për pritjet dhe për interesat e Maqedonisë dhe të Greqisë. Çdo shkelje e një pjese të pakos e vë në rrezik të gjithë pakon. Nuk dëshirojmë ta lëshojmë këtë mundësi, andaj dje edhe kryeministri i dërgoi mesazhet politikanëve grekë dhe opinionit grek”, tha Radmilla Shekerinska, zëvendëskryeministre e RM-së.

Zgjidhjen e mundshme “Republika e Maqedonisë së Ilindenit” e publikoi kryeministri Zaev pas takimit të djeshëm të liderëve në Shkup.

Mes tjerash, ai theksoi se bëhet fjalë për të gjithë pakon, se emri është për përdorim të përgjithshëm, se gjuha mbetet gjuhë maqedonase, se identiteti është i garantuar dhe se mbeten kodet MK dhe MKD, shkruan Tv21.tv.

“Republika Ilindenska Makedonija, është emri për të cilin është i mundur kompromisi me Greqinë, në anglisht “Republic of Ilinden Macedonia” kurse në gjuhën shqipe Republika Ilinditase e Maqedonisë. Republika Ilinditase e Maqedonisë është emri me të cilin e forcojmë themelin e republikës sonë, ndërsa Ilinden do të thotë vazhdimësi historike e synimeve tona, shtetësisë sonë dhe krenarisë sonë”, tha Zaev.

Pak pas deklaratës së kryeministrit Zaev, me qëndrim dolën edhe nga zyra e kolegut të tij grek, Aleksis Cipras, prej ku e përshëndetën vendimin që të pranohet “erga omnes” por e hodhën poshtë propozimin “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”.

“Megjithatë, I inkurajoj fqinjët tanë që të vazhdojmë së bashku të punojmë për të gjetur zgjidhje të përbashkët dhe të pranueshme për të dyja palët, me përcaktim gjeografik dhe kohor, ashtu siç parasheh pakoja me propozime, që i dha përfaqësuesi special i KB-së, Metju Nimic”, nga Zyra e kryeministrit të Greqisë, Aleksis Cipras.

Nga kabineti i Ciprasit, sot njoftuan se ai mbrëmë vonë ka biseduar në telefon me nënpresidentin amerikan Majk Pens, i cili ka theksuar se Maqedonia dhe Greqia kanë mundësi historike dhe i ka lavdëruar angazhimet e të dy kryeministrave, duke thënë se shpreson se ata do të gjejnë zgjidhje të përbashkët në drejtim të paqes dhe stabilitetit të rajonit./21Media