Bislimi në Greqi për të diskutuar rreth Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimit të BE-së

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka udhëtuar për në Greqi për një vizitë dyditore.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Bislimi do të marrë pjesë në tryezën e diskutimit “Ballkani Perëndimor dhe zgjerimi i BE-së 2030 – Ëndërr apo Realitet?”. Të pranishëm në këtë organizim do të jenë edhe homologë të tij nga rajoni.

Gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin grek, siç thuhet në njoftim, zv.kryeministri i parë i Kosovës pritet të mbajë edhe takime tjera.

Greqia është një nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Pavarësisht bashkëpunimit mes dy vendeve e vizitave të shpeshta të Kryeministrit, Albin Kurti në Greqi gjatë vitit të kaluar, homologu grek i tij, Kyriakos Mitsotakis zbehu optimizmin për njohje që ishte krijuar në Kosovë.

“Qëndrimi i Greqisë sa i përket Kosovës mbetet i pandryshuar”- tha Mitsotakis, gjatë një vizite në Beograd më 12.02.2024.

Kosova e ka të vendosur një zyrë diplomatike në Athinë të përfaqësuar nga i Ngarkuari i përkohshëm, Fitim Gllareva, njëjtë siç e ka Greqia në Prishtinë të përfaqësuar nga diplomatja Heleni Vakali.

Greqia ka njohur pasaportën e Kosovës dhe ua ka mundësuar kosovarëve që të hyjnë në këtë shtet pa viza prej 1 janarit 2024 kur hyri në fuqi liberalizimi i vizave për qytetarët nga Kosova.