Mbledhja e Qeverisë Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Qeveria e Kosovës e Quan Racist Filmin Dokumentar të Serbisë

Qeveria e Kosovës ka reaguar ndaj një filmi dokumentar të Qeverisë së Serbisë që është i drejtur kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Ekzekutivi kosovar e ka cilësuar të ulët, racist dhe të paprecedent këtë film.

“Shfaqja e filmit dokumentar përpara ambasadorëve të vendeve anëtare të UNESCO-s, me përmbajtje fyese për Kosovën, në kuadër të fushatës kundërshtuese ndaj anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, është përpjekje në vazhdimësi për ta denigruar shtetin e Kosovës”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.

Prezantimi i trashëgimisë kulturore në Kosovë si pjesë të trashëgimisë së Serbisë është synim për të përvetësuar pasurinë kulturore e fetare të Kosovës dhe për ta transformuar atë, thuhet po ashtu në këtë reagim.

“Objektet fetare e kulturore në Kosovë janë pjesë e trashëgimisë së vendit dhe ato nuk mund të tjetërsohen. Ato i takojnë shtetit të Kosovës, qytetarëve të tij pa dallim, janë të ruajtura dhe të mbrojtura me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Për pasurinë e Kosovës përgjigjen qytetarët dhe institucionet e saj”, thekson komunikata e Qeverisë.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës thekson se pengesat që po i vë Serbia në rrugën e pranimit ndërkombëtar dhe anëtarësimit në organizmat ndërkombëtar janë në kundërshtim me parimet e politikave të fqinjësisë së mirë, në shpërputhje me procesin e normalizimit të marrëdhënieve në kuadër të dialogut që lehtësohet nga BE-ja dhe kundër procesit të pajtimit të popujve pas një periudhe të rëndë të historisë.