Foto: Kallxo.com

Promovohet libri “Unë e Përdhunuara” nga Ramize Murtezi -Shala

Është promovuar të premten libri i “Unë e përdhunuara” e autores Ramize Murtezi -Shala.

Ky roman i cili bazohet në një ngjarje të vërtetë, rrëfen betejën jetësore të një nëne të përdhunuar gjatë luftës bashkë me dy vajzat e saj njëra 10 e tjetra 7 vjeçare, e cila përveç se duhet të luftojë për të sjellë drejtësinë për të dhunuarat, për të thyer heshtjen rreth kësaj tragjedie, i duhet të përballet edhe me paragjykimet, etiketimet dhe përbuzjen.

Botimi i këtij romani është cilësuar si një kontribut më shumë për kujdes më të madh ndaj të dhunuarve gjatë luftës në Kosovës nga forcat serbe dhe një thirrje për institucione dhe shoqërinë për të bërë më shumë për gjitha ata që u përballën me dhunimin.

Promovimit, përveç studiuesve dhe diplomatëve të cilët vlerësuan botimin dhe tematikën e trajtuar, përmes video lidhjes iu bashkua edhe Vasfije Krasniqi- Goodman, viktimë e dhunës, e cila kohë më parë shpalosi hapur atë se çfarë kishte përjetuar gjatë luftës nga serbët.

Përmes video-lidhjes, ajo ka thënë se ndjen dhembje sa herë dëgjon për raste të tilla.

“Këtë libër duhet ta lexojnë të gjithë. Përmes këtij mësoj se çfarë përjetuan viktimat e dhunës seksuale. Dihet se serbët nuk bënë dallime në moshë gjatë krimeve të tyre”, tha ajo.

Ndërsa studiuesi Rrahman Paçarizi, duke vlerësuar romani “Unë e përdhunuara” ka thënë se personazhi i romanit të Ramize Murtezi –Shalës është një grua pa emër por mjaft e fuqishme dhe e guximshme për ta rrëfyer tragjedinë e saj.

“Libri i Ramize Murtezi -Shala ka është një nga rrëfimet më të dhimbshme të luftës, është rrëfimi origjinal i kryepersonazhes së dhunuar gjatë luftës nga serbët bashkë me të bijat, Dritën dhe vajzën 7 vjeçe Jetën, e cila edhe kishte ndërruar jetë gjersa dhunohej. Pjesë e tij janë edhe të dhunuara të tjera në vend e raste të ndryshme të Kosovës”, ka thënë Paçarizi, duke shtuar se përveç dramës së dhunimit këto viktima kanë përjetuar edhe të qenit të përbuzur nga shoqëria, dramën e të qenit të njollosur dhe të përjashtuar.

Foto: Kallxo.com

Vlora Çitaku, ambasadore e Kosovës në SHBA ka pohuar se të dhunuarat e luftës nuk duhet të ndihen të turpëruara, por shoqëria dhe institucionet të cilat, siç tha ajo, bënë pak për të zbutur këtë tragjedi kombëtare.

“Përmes këtij romani autori ka dokumentuar një prej formave më të vrazhda që ka përcjellë luftën në Kosovë, por unë dhe në që jemi në institucione nuk e kemi kryer punë tonë. Kjo punë mbaron kur gjitha ata që kanë kryer dhunime të gjenden prapa grilave”, tha ambasadorja Çitaku.

Ndërsa psikiatrja Mimoza Shahini tha se romani trajton një barrën më të rëndë që ka lënë lufta e Kosovës pasi, sipas saj, dhunimi është barra më e rëndë për shkak të pasojave që bart.

“E kam lexuar disa herë romanin dhe nuk i bëja ballë stories që po vinte më mbrapa, sepse në çdo rresht parashikoi storien e shumë njerëzve që kishin trokitur në derën time dhe thonë që më vjen marre me folë për atë çfarë më ka ndodhë”, ka thënë Shahini.

Kurse Drejtoresha e KRCT, Feride Rushiti, tha se ky roman i bazuar në ngjarje të vërtetë ka trajtuar me një ndjeshmëri të veçantë fatin e viktimave të dhunimit.

Ajo tha se ky është një roman “që të mban të gllabëruar në vete në çdo paragraf”.

“Përmes çdo paragrafi është elaboruar aq qartë klithma dhe përpëlitja e qindra e nënave, grave dhe vajzave të cilat disa herë kishin lutur dhunuesit që t’i vrisnin pasi pas këtij akti, ato ndiheshin si të vdekura në mes të gjallëve”, tha Rushiti.

Në fund ka folur edhe autorja Ramize Murtezi – Shala e cila tha se tragjedia e viktimave të dhunimit gjatë luftës nga serbët duhet të zbardhet plotësisht.

“Një zonjë e nderuar që unë e çmoj shumë ka thënë se nuk mund të shkruhet historia e luftës së Kosovës pas u shkruar edhe historia e dhunimeve seksuale të luftës”, tha Ramize Murtezi Shala.