Ballina e librit 'Areali i Kosovës në kohën osmane'. Foto: KALLXO.com.

Botohet libri i Agron Islamit për historinë sociale të Kosovës në kohën osmane

Historiani dhe osmanisti, Agron Islami ka botuar librin, “Areali i Kosovës në kohën osmane: një histori socio-ekonomike e shekullit XVIII”. Ky libër historiografik, i botuar nga  Instituti i Historisë- “Ali Hadri”në Prishtinë, është një studim me përqendrim në historinë sociale ekonomike dhe politike të trevës së Kosovës gjatë shekullit XVIII (18).

Libri “Areali i Kosovës në kohën osmane: një histori socio-ekonomike e shekullit XVIII” paraqet një kontribut të veçantë për historiografinë shqiptare, në veçanti atë të Kosovës, ku trajton historinë sociale, ekonomike dhe politike të Kosovës gjatë viteve 1700-1800.

Studimi është mbështetur në dokumente osmane të papërdorura ndonjëherë nga studiues të mëhershëm.

Libri monografik i Agron Islamit, fillon me një parathënie, në të cilin parashtrohen arsyet motivuese që e kanë nxitur  autorin të merret me studimin e kësaj tematike, më pas është vazhduar me hyrjen, e cila pasqyron historinë e shkurtër politike të arealit të Kosovës që nga antikiteti deri në vitin 1800 dhe 4 kapitujt (administrata, objektet dhe hapësirat urbane, jeta sociale dhe jeta ekonomike).

Ky libër i cili përbëhet nga 391 faqe, në vete përmban të dhëna të detajuara dhe të bazuara në dokumentacionin osman të hartuar në zyret e administratës osmane mbi pashallarët shqiptarë që qeverisnin me Kosovën gjatë këtij shekulli, kadinjtë dhe gjithë personelin e gjykatës osmane në Kosovë.

Në kapitullin e dytë, janë marrë në studim 7 kalatë funksionale në Kosovë, ndërsa në kuadër të objekteve të kultit janë ofruar dëshmi për rreth 60 xhami, shumë mesxhide, tyrbe e teqe, Patrikanën e Pejës bashkë me mitropolitë nën varsinë e kësaj të fundit dhe krejt në fund janë trajtuar institucionet edukativo arsimore.

Kapitulli i tretë, i cili trajton jetën sociale në Kosovë, ofron të dhëna mbi demografinë, stacionet e komunikimit, familjen, trajtimin e fëmijëve bonjak e deri tek kurorëzimet dhe shkurorëzimet që kishin ndodhur në qytetet e Kosovës osmane të shekullit XVIII. Për të kaluar në veprimtarinë tregtare në qytete, si dhe rendin dhe qetësinë.

Kapitulli i katërt dhe i fundit trajton sistemin financiar osman të aplikuar në Kosovë, llojet e taksave që ishin vjelë nga raja e Kosovës, më pas i është dhënë një hapësirë e veçante aktivitet të minierave në Novobërdë, Trepçë etj., të cilat përbënin një zë shumë të rëndësishëm për arkën shtetërore osmane.

Ballina e libri ‘Areali i Kosovës në kohën osmane’. Foto: KALLXO.com.