Probleme Teknike Shoqërojnë Gjykimin e Sekiraqës

Problemet teknike në Pallatin e Drejtësisë janë shfaqur edhe në seancën gjyqësore ndaj të akuzuarit Enver Sekiraqa, të mërkurën.

Në mes të seancës është ndalur rryma. Ndërkohë që kryetari i trupit gjykues Arcadius Sedek kërkoi një pauzë deri në rregullimin e problemit, derisa të pranishmit po dilnin nga salla, erdhën dritat.

Ky nuk ishte problemi i vetëm teknik i kësaj seance.

Gjykatësi është ankuar edhe për temperaturën e lartë në sallë, e cila shkonte duke u ngritur vazhdimisht.

Pasi gjykatësi tha se në këto kushte nuk mund të zhvillohet seanca, shërbimi teknik i gjykatës në mungesë të ndonjë zgjidhjeje tjetër i solli tri flladitëse.

Gjithashtu, kryegjykatësi u ankua edhe për sjelljen me vonesë të të akuzuarit Enver Sekiraqa në seancë. Arcadius Sedek kërkoi llogari nga oficerët e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

“Trupi gjykues kërkon të dijë dhe të ketë një përgjigje pse kjo vonesë po ndodhë? Ku qëndron problemi?”, pyeti ai.

“Ne kemi shkuar me kohë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz, por problemi qëndron se është vonuar Policia, e cila na vjen në përcjellje”, theksoi njëri nga oficerët e pranishëm.

Vonesa në sjelljen e të akuzuarit ka pasur edhe në seancën e së martës.

Enver Sekiraqa akuzohet dhe po gjykohet për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza.

Përndryshe, problemet teknike në Pallatin e Drejtësisë nuk janë të rralla.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht për mungesën e oksigjenit në ambientet e Pallatit, për prishjet e ashensorëve, ngujimin në ta të personelit të Pallatit të Drejtësisë, dhe të tjera.

http://kallxo.com/pallatin-e-drejtesise-e-merr-uji/

http://kallxo.com/gjykatesja-ngujohet-ne-ashensor-te-pallatit-te-drejtesise/