Lirimi nga arresti shtëpiak i Enver Sekiraqës, babai i Triumf Rizës: Kjo është tallje me drejtësinë 

Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje në rastin e vrasjes së policit Triumf Riza në vitin 2007-të, është liruar nga masa e arrestit shtëpiak.

Kjo masë të akuzuarit Sekiraqa i është zëvendësuar me paraqitje në Stacionin e Policisë për një muaj.

Këtë vendim të gjykatës, babai i Triumf Rizës, Shefqet Riza e sheh si ‘tallje me drejtësinë’, deri sa shton se për rastin e djalit të tij po luhet një lojë pasi tash e 18 vite nuk ka ndonjë epilog përfundimtar.

“Se di, është skandaloze, është tallje me drejtësinë, kurrgjë ma shumë. Rasti nuk ka marrë epilog sepse po luajnë një farë loje të ping-pongut. Qe tri herë po kthehet në rigjykim rasti nga Gjykata e Apelit, ajo po e kthen. Kjo është shkaktari, qe 16 vjet nuk po kryhet kjo punë”- tha gjatë një bisede me KALLXO.com, Shefqet Riza.

Ai tha se lajmin për lirimin nga masa e arrestit shtëpiak të të akuzuarit Enver Sekiraqa e ka mësuar nga mediat.

Heqjen e masës së arrestit shtëpiak ndaj Sekiraqës e ka konfirmuar për KALLXO.com më 10.02.2024 avokatja e tij, Kosovare Kelmendi.

“Të njëjtit i është zëvendësuar masa e arrestit shtëpiak me masën e paraqitjes në stacion policor”- ka thënë avokatja.

Më 30 gusht të vitit 2007 në Prishtinë, Triumf Riza që shërbente si polic, asokohe në Shërbimin Policor të Kosovës mbeti i vrarë.

Në drejtim të tij u gjuajtën 11 plumba nga Arben Berisha, ku tre nga ta e goditën duke e plagosur Rizën për vdekje.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale që është ngritur ndaj Enver Sekiraqës, pretendon se Arben Berisha për të kryer aktin në fjalë u nxit nga i akuzuari Sekiraqa, i cili siç pretendon prokuroria Berishën e kishte njeri të besueshëm.

Sipas dosjes, vrasja e Rizës është bërë në mënyrë shumë mizore dhe mashtruese për shkak të një hakmarrje të paskrupullt apo ndonjë motiv tjetër.

“Respektivisht hakmarrje personale kundër të përmendurit Triumf Riza”- thuhet në aktakuzë.

Aktakuza shpjegon se si para vrasjes, grupi në fjalë, pra katër të akuzuarit, kanë bashkëpunuar mes vete dhe kanë përcjellur lëvizjet e Rizës me qëllim që të ndiqnin rrugët e tij.

Arben Berisha është i dënuar me 35 vite burg për këtë ngjarje dhe është në vuajtje të dënimit, ndërsa në maj të vitit 2016 Gjykata kishte gjetur fajtor dhe shpallur fajtor me 37 vjet burg Enver Sekiraqën, por pas ankesës në Gjykatën e Apelit rasti ishte kthyer në rigjykim.

Në rigjykim, në shtator të vitit 2019, Gjykata e gjeti përsëri fajtor dhe e dënoi me 30 vjet burg për nxitjen e vrasjes së Triumf Rizës, mirëpo Gjykata e Apelit përsëri e riktheu rastin në gjykim i cili po vazhdon ende.

Në tetor të vitit 2021 Kallxo.com raportoi se Sekiraqa ishte liruar nga masa e paraburgimit dhe i ishte zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak.

Të gjitha lajmet për rastin e vrasjes së Triumf Rizës dhe gjykimin ndaj Enver Sekiraqës dhe personave të tjerë të cilët po gjykohen për këtë rast mund t’i lexoni në këtë link.