Enver Sekiraqa në gjykatë (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

Enver Sekiraqa përballet me dëshminë e shokut të afërt të Triumf Rizës

Në rigjykimin e Enver Sekiraqës, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Rizës, më 19.03.2024 në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua Arben Selmanaj.

Selmanaj kishte qenë polic në Policinë e Kosovës, pjesë e Njësisë Speciale dhe e Mbrojtjes së Afërt.

Dëshmitari tha se e ka njohur Triumf Rizën që nga shkolla fillore dhe e ka pasur shok të afërt deri në fund të jetës së tij.

Gjatë dëshmisë së tij, Selmanaj theksoi se orkestrues i vrasjes së mikut të tij është i akuzuari Enver Sekiraqa.

“Unë nuk e di kush është dorasi. Dorasi është lajmëruar vetë, por e di kush e ka dhënë urdhrin ose kush e ka orkestru këtë punë – është Enveri” – tha dëshmitari, duke shtuar se këtë informacion ia ka thënë inteligjenca.

Lidhur me këtë dëshmitari përmendi një mbledhje të thirrur nga Zyra Operative e shtabit të Prishtinës.

“Kur Zyra Operative e shtabit të Prishtinës, shefi i Operativës në atë kohë internacional, na ka njoftu me memo dhe ka kërkuar që të mbahet mbledhje me mua dhe me Triumfin dhe na ka njoftu se Enver Sekiraqa është zënë nga inteligjenca gjatë përgjimit të telefonit të tij është zënë duke thënë që do ta vrasë Triumfin“ – u shpreh dëshmitari.

Dëshmitari rrëfeu për rastin në “Swiss Casino”, një ngjarje që është përmendur shumë gjatë këtij gjykimi.

“Na kanë ftu që të shkojmë në ‘Swiss Casino’ dhe të festojmë Krishtlindjen, duke mos e ditur që aty veç ka qenë një përcjellje që ka ndodhë ku jemi zënë me një pikë ngulfatëse mu në hyrjen e lokalit, ku jam plagosur pa asnjë arsye… Grupi i Enverit ka qenë brenda dhe jashtë lokalit dhe ne e kemi gjetë veten në mes të grupit dhe jemi sulmu pa ndonjë arsye” – tha dëshmitari për këtë rast.

Dëshmitari Selmanaj tha se presionet ndaj Triumf Rizës kanë ardhur si pasojë e karrierës së tij të suksesshme si polic.

“Ka qenë polici më i mirë i Njësive Speciale që ka pasur Kosova. Ka pasur shumë grupe pas luftës që kanë dashtë me dominu krimin në atë kohë, i kanë bërë presion… Po ashtu e kemi pasë grupin e Sekiraqëve që kanë dominu në atë kohë, që janë mundu me bo presion te Triumfi” – tha dëshmitari lidhur me këtë çështje.

Dëshmitari dëshminë e tij e dha përmes video-lidhjes për shkak se ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lidhur me vendbanimin e tij, dëshmitari tha se një ndër arsyet e shpërnguljes së tij në SHBA janë edhe kërcënimet që i ka marrë.

“Kjo është një prej arsyeve edhe kërcënimeve që i kam marrë kohëve të fundit aty që unë jam i dyti jo vetëm duke u bazuar në mendimet e mia po edhe mbledhjes apo informatës inteligjencës e cila ka dalë e vërtetë pas disa kohe që është rrezik serioz” – tha dëshmitari, duke iu përgjigjur pyetjes së anëtarit të trupit gjykues Ngadhnjim Arrni.

Ndërkaq pyetje i parashtroi edhe avokatja e Enver Sekiraqës, Kosovare Kelmendi.

Ajo e pyeti rreth personit me emrin Gjon Kqira, i cili është i ftuar të dëshmojë në seancën e radhës.

Kështu avokatja Kelmendi e pyeti dëshmitarin nëse është në dijeni se Kqira pas rastit të ‘Swiss Casino”-s ka shkuar te Sekiraqa dhe në emër të dëshmitarit Selmanaj ka shprehur keqardhje për atë ngjarje, sipas avokates, në kontekstin që sulmuesit kanë qenë dëshmitari dhe i ndjeri Riza.

“Ka pasur persona të ndryshëm, familjar e jofamiljarë që kanë insistu me ardhë te një lloj kontakti ose ku e di unë çka, por ne kemi refuzu që të gjithë dhe e kemi lënë që me këtë punë të merret gjyqësia” – u përgjigj dëshmitari lidhur me këtë rast.

Seanca e radhës do të mbahet më 21.03.2024, kur do të dëgjohet si dëshmitar Gjon Kqira, i ftuar nga mbrojtja.

Kujtojmë që Sekiraqa ishte shpallur fajtor dy herë nga Gjykata e Prishtinës.

Herën e parë (17.05.2016) i njëjti ishte dënuar me 37 vjet dënim me burgim kurse herën e dytë ishte dënuar (16.09.2019) me 30 vjet dënim me burgim.

Rasti është në rigjykim dhe po trajtohet nga trupi gjykues i kryesuar nga Agim Kuqi dhe me anëtarët Medije Bytyqi dhe Ngadhnjim Arrni.

Polici Triumf Riza është vrarë më 30.08.2007 në Prishtinë.

Për vrasjen e tij është gjykuar dhe dënuar me burgim Arben Berisha, kurse Enver Sekiraqa akuzohet se ka nxitur vrasjen.