Jahjaga: Të Mos Prishet Festa!

Për partitë opozitare dita e nesërme duket idealja për të protestuar për kauzën kundër qeverisë, por Presidentja ka një kërkesë nga protestuesit.

“Mos e prishni festën!”.

Një ditë para se ata që festojnë dhe ata që protestojnë ta marrin rrugën për në sheshin kryesor të Prishtinës, Jahjaga lëshoi një apel të fundit.

“Apeloj që edhe protesta edhe festa të jetë e dinjitetshme sepse dita e nesërme është e madhe për Kosovën, është ditë e shenjtë për të gjithë qytetarët”, tha ajo gjatë konferencës për shtyp me homologen nga Malta, Marie Louise Coleiro Preca.

“Nuk duhet ta prishim këtë ditë. Nuk duhet ta zbehim këtë festë dhe ta zbehim sakrificën kolektive për Kosovën”, u shpreh ajo.

Presidentja e Maltës i vlerësoi si “shumë të mira” marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve ndërkohë që shprehu mbështetjen e shtetit të saj për rrugën evropiane të Kosovës dhe për procesin e liberalizimit të vizave.

“Liberalizimi i vizave stimulon nivelin e zhvillimit dhe i siguron Kosovës perspektivë evropiane. Malta e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovës dhe rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE”, tha ajo.

Preca tha se mbështetja e Maltës do të vijë edhe në aspektin ekonomik.

“Shpresoj që delegacionet e biznesit do të takohen së shpejti ose në Kosovë ose në Maltë dhe do të ketë mundësi për biznesin e Kosovës që t’i kuptojë mundësitë e bashkëpunimit me Maltën. Ajo që do të bëjmë si qeveri është që do t’i hapim dyert. Dyert janë tashmë të hapura dhe shumë shpejt do të ketë rezultate të prekshme”, u shpreh Presidentja e Maltës.

Ndërsa Presidentja Jahjaga në deklaratën e saj, tha se Kosova sot është një “partner i rëndësishëm ndërkombëtar në luftimin e fenomeneve të rrezikshme dhe kundër çdo ekstremizmi”.

“Konsolidimi ndërkombëtar i Kosovës është hap i rëndësishëm i stabilitetit jo vetëm në rajon por edhe u ruajtjes së stabilitetit evropian. Rruga evropiane është rruga e pashmangshme e çdo vendi të rajonit. Kosova është vend i vogël por me shumë potencial edhe natyror edhe njerëzor”, tha Jahjaga.

10:35

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka organizuar pritje zyrtare për homologen e saj malteze, Marie Louise Coleiro Preca.

Presidentja e Republikës së Maltës është pritur me tepih të kuq dhe me nderimet e Gardës së Nderit në sheshin “Ibrahim Rugova”.

Të parat e dy vendeve janë duke zhvilluar një takim në Presidencë.