Presidentja Atifete Jahjaga - Foto: Facebook

Porosia e Presidentes për Studentët

Presidentja në largim, Atifete Jahjaga, ka mbajtur një fjalim para studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Pasi ka folur për të kaluarën e vendit, duke përmendur vuajtjet dhe sakrificat e gjeneratave te mëhershme, në një sallë të mbushur përplot studentë e mësimdhënës të Fakultetit Juridik, përfshirë edhe rektorin e porsazgjedhur Marjan Dema, presidentja kërkoi nga studentët që ta dinë rëndësinë e faktit se vendi është i lirë.

“Kërkoj  nga  ju  që  çdo  ditë,  derisa  niseni  për  në  ligjërata apo për të përgatitur  provimet  në  bibliotekë,  të  kujtoni  këtë  sakrificë,  sepse  vetëm  atëherë  do  ta  kuptojmë  dhe  do  ta  kemi  të  qartë  se  çfarë  çmimi  të  lartë  ka  kjo  liri  e  jonë. Aq  çmim  të  lartë sa që kurrë lirinë të mos e kuptojmë lehtësisht, por që të kuptojmë që mbi supet tona kemi një mision të vlefshëm: që Kosovën ta bëjmë  vend më të mirë”, tha ajo.

Presidentja foli edhe nga ajo që ka kuptuar gjatë vizitave në pjesë të ndryshme të vendit.

“Gjatë këtij mandati 5-vjeçar kam parë shumë fytyra të Kosovës, një shoqëri që po humb besimin në institucionet e këtij vendi, një shoqëri të lodhur, që të ardhmen e sheh larg nga ky vend. Gjithashtu kam parë një Kosovë që përqafon një frymë optimiste, një shoqëri që jep shpresë, që refuzon të keqen, që është e zhurmshme ndaj padrejtësive”, theksoi presidentja.

Duke ju drejtuar studentëve, për të cilët disa herë tha se janë e ardhmja e vendit dhe se tek rinia e sheh ndryshimin, Jahjaga u shpreh se Kosova po formohet si një shoqëri që lufton kundër dukurive të këqija.

“Ngadalë por sigurt po shfaqet një shoqëri që është e zëshme ndaj abuzimit dhe  padrejtësisë, që ka filluar të mos e tolerojë klientelizmin, që do ta refuzojë nepotizmin, që do të jetë e pamëshirshme ndaj atyre që keqpërdorin dhe mbajnë  peng zhvillimin e saj”, shtoi presidentja Jahjaga.

 

presidentja1 presidentja2

Pozita në të cilën është Kosova, vazhdoi ajo, nuk është e favorshme dhe ka shumë sfida të cilat për t’i përballuar duhet shumë guxim, kurajo, vullnet dhe shumë angazhim.

“Kosova që e synojmë nuk bëhet brenda natës, sepse problemet tona nuk kërkojnë zgjidhje të shpejta”, tha më tej e para e vendit.

Sa i përket të ardhmes pas përfundimit të mandatit si presidente dhe se a do të vazhdojë përsëri me politikë, presidentja Jahjaga tha se ka pasur angazhime të mëdha dhe se tani meriton pushim.

“Do marr pushim, sepse kam nevojë të punoj, por ku do që jam do të punoj në interes të këtij shteti”, theksoi ajo.

Fjalimin e saj presidentja e përfundoi duke iu drejtuar të gjithë studentëve, e posaçërisht vajzave, se mund dhe duhet të synojnë pozita të larta, “sepse u pa që një shtet mund ta drejtojë edhe një femër dhe atë me sukses”.