Takimi me Komisionin për Demarkacionin Ndan Opozitën

Ekspertëve ndërkombëtarë të Komisionit për demarkacionin do t’i shkojnë në takim zyrtarë të Nismës për Kosovën dhe të AAK-së, por jo edhe të Vetëvendosjes.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, takohet nesër me anëtarët amerikan, gjerman e britanik të Komisionit të formuar nga presidentja Atifete Jahjaga. “Po, nesër në 12:00, kryetari Fatmir Limaj do të takohet me ekspertët ndërkombëtarë”, tha Endrit Shala për KALLXO.com

AAK ende nuk ka marrë ftesë, por kur t’u shkojë ftesa do të shkojë në takim.

“Ende nuk kemi ftesë, por në parim AAK-ja do t’i thotë po takimit. Çka diskutohet në takim është diçka tjetër, por ne padiskutueshëm jemi për”, tha zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj për KALLXO.com

Ndërsa kategorike kundër takimit është Lëvizja Vetëvendosje. Një ndër arsyet është mospërfshirja në Komision edhe e ekspertëve vendorë.

“Nga përbërja e këtyre personave, që janë ftuar për ta trajtuar këtë çështje, është shumë e qartë që nuk kemi të bëjmë me një grup ekspertësh dhe nuk mund të jetë e tillë pa pjesëmarrjen e ekspertëve vendorë, të cilët kanë punuar për një kohë të gjatë dhe të cilët e njohin në detaje çështjen e demarkacionit me Malin e Zi”, tha për KALLXO.com nënkryetari i VV-së, Driton Çaushi.

Ky Komision, i formuar më 15 mars, do të përfundojë rishikimin e demarkacionit para përfundimit të mandatit të presidentes Jahjaga.

“Puna e Komisionit pritet të zhvillohet dhe të përmbyllet në një afat prej dy javësh”, tha Safet Zejnullahu nga Zyra për Informim e Presidencës.

Fletcher Burton, Herbert Wilmes dhe Fred Newton janë anëtarët e Komisionit, i cili pritet të hedhë dritë mbi një proces kontrovers, i cili që nga gushti i vitit të kaluar është bërë një ndër arsyet kryesore të protestave të opozitës brenda dhe jashtë institucioneve të Kosovës.

Komisioni vlerësues është themeluar me iniciativën e Presidentes Jahjaga, pas shqetësimeve të ngritura rreth marrëveshjes së nënshkruar vitin e kaluar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për vendosjen e kufirit shtetëror.

Presidentja Atifete Jahjaga e përfundon mandatin me 6 prill 2016.

http://kallxo.com/presidentja-themeloi-komisionin-nderkombetar-per-demarkacionin/