Foto: Atdhe Mulla

Zengjinët e Vjetër - Zengjinët e Rinj

Derisa atje lart, në botë, media po alarmon për sindromin e të kamurit Trump, duke e kujtuar e krahasuar shpesh me sindromin Berlusconi e Putin, dhe frikën se kush kujt po i hedh hi syve, këtu poshtë, në një vend krejt të pafuqishëm për Perëndimin a për Amerikën, sindrome unike të të fortëve kanë lindur kaherë e krejt habitshëm.

Derisa mediet atje lart në botë, kanë shfaqur tashmë hapur nostalgjinë për figurën e Obamës e për të tjerë si ai, edhe këndej poshtë ka nisur të dalë sheshit nostalgjia për figura që ndonëse janë kritikuar e atakuar në vazhdimësi, sot po dalin e po thonë të paskëshin qenë më të mirë se ata që po vijnë.

Ani pse sindromi i Presidentes së mbirë nga zarfi ka ushqyer medie, analistë, opinionistë e rrjete sociale për aq kohë sa ishte, në ikje të saj, nostalgjia për të është shfaqur hapur e pa karar.

Ta duash kaq shumë vetëm në ikje “Zonjën nga zarfi”, s’është veçse dëshira për figurën pak më normale se figurat që erdhën e po vijnë. Gati-gati do të mund t’i shkonte edhe vargu i njohur i Dervish Shaqës “…kur ta ktheva Kosovë shpinën, e lashë borë, e gjeta dimën!”

Një rivlerësim dhe një reaksion. Po për çfarë ndjehet nostalgji në të vërtetë? Për figurat me fytyrë ndoshta dhe për njerëzit që mbi të gjitha arrijnë të jenë të matur. Apo ndoshta frikë për ata për të cilët e dimë se veçse në interesin e banorëve të këtij vendi nuk kanë menduar.

Në këto pështjellime e lojëra, herë-herë shumë të frikshme, kemi një grup specifik udhëheqësish, një model i simptomave që karakterizojnë njëshat, dyshat dhe gjithë të fortit e pushtetit kosovar, karshi një gjendjeje goxha të veçantë sociale.

Sepse sindromet e gjeneralëve e të komandantëve, mund të jenë mbase edhe gjeniale, por iu mungon shpirtgjerësia e mbi gjithçka fytyra.

E kushedi, një ditë, edhe mediet e botës atje lart mund të vërejnë disa sindrome udhëheqësish këtu poshtë, që janë unikë, e dhashtë Zoti të shkruajnë edhe për këta.

Kësisoj, festimet e ndryshme, reale apo ato të rrjeteve sociale, duket se paraqesin një teatër paradoksal të një pushteti që është i ndarë shumëfish, në qendra e në rrethina, herë artificiale e herë reale.

Karshi atyre, zengjinëve të vjetër e të rinj, ne individualisht, jemi vetëm arkitektë ëndrrash, të ndërtuara pikë për pikë si kështjella në ajër, sepse këta Zengjinë gëlltisin e fshijnë çkado që iu del para në metropolin që as vetë nuk njeh as qëndrueshmëri e as traditë… që nuk e respekton të shkuarën por nuk i lë frymë as të resë, që shndërrohet pandalshëm, gëlltit e fshin edhe ai. Që harron e harron gjithçka ka krijuar, si harrojnë të zotët e tij.

Për popullin, Kosova është shndërruar në shembullin e pastër të sëmundjes politike, në ideologjinë që përfaqëson sindromin e përçamjes e copëtimit, vënë në provat e shumta të historisë e të katastrofave.

Për ne, për ata, ajo mund të jetë ikona që shfaqet krejt shpërfillëse karshi nesh, e karshi ëndrrave që mund t’i kemi për ta shëruar. Përgjigja më e fuqishme e më shkatërruese ndaj shoqërisë moderne të Kosovës është pikërisht ky mikrob sëmundjeprurës, i cili ka hapur plagë të reja mbi të vjetrat, dhe një mikrob që nuk ka si të dijë të të prekë me përkëdheli.

Një shoqëri e dalë nga historia e keqe, më së paku çfarë mund të presë, është një ilaç, qetësi dhe një lloj rehatie. Por pushteti i pushtuar nga fuqitë që e quajnë veten të mëdha, ka krijuar mure groteske që e ndajnë shoqërinë në pjesë-pjesë krejt të panatyrshme.

Sindromi i përçamjes, copëtimit apo i zilisë? Modelet janë të përkohshme, asnjë nuk zgjat përjetësisht, sindromet megjithatë kanë të tjera shtrirje. Kush e di sa do zgjasë sindromi i pushtetarit kosovar? Ai i Zengjinëve të vjetër e të rinj…

Napoleoni pushtoi dhe humbi Evropën, na thonë shpesh, edhe Revolucioni fitoi e perëndoi – një ditë ndoshta do të perëndojnë edhe modelet e të fortëve e të perandorëve të vetëshpallur të kësaj toke. Deri atëherë mund vetëm të presim mediat e botës të kthejnë kryet këndej.