Nderohet Presidenti Rugova, Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës

Liderë shtetërorë dhe të partive politike të vendit kanë nderuar sot kujtimin për presidentin e parë të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili ka vdekur një dekadë më parë.

Teksa ka bërë homazhe te varri i paraardhësit të saj, presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ka thënë se duhet ta kujtojmë me respektin më të madh atë që ajo e quajti “arkitekti i pavarësisë së Kosovës”.

“Vizioni I tij na bën që ta nderojmë dhe ta kujtojmë me respektin më të madh liderin dhe arkitektin e pavarësisë dhe udhëheqësin I cili orientoi popullin tonë dhe vendin tonë”, theksoi presidentja Jahjaga.

Nderime te varri i ish-presidentit ka bërë edhe kryeministri i Kosovës, i cili është edhe lider i LDK-së, partia të cilën dr. Rugova e ka drejtuar që nga themelimi, më 1989, e deri në vdekjen e tij më 2006.

“Qeveria e Republikës së Kosovës si dhe të gjitha institucionet e respektojnë fuqishëm veprën dhe kontributin e Presidentit Rugova në shtetndërtimin e Kosovës dhe për miqësitë që ka krijuar me vendet mike dhe për të gjitha proceset që na kanë sjellë deri këtu, që Kosova te jetë shtet i pavarur dhe sovran” tha shefi i qeverisë, Isa Mustafa.

Punën dhe kontributin e presidentit të ndjerë për lirinë dhe pavarësinë e vendit e ka vlerësuar edhe ish-oponenti i tij kryesor politik.

“Jemi së bashku këtu me kryeministrin, siç do të jenë të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, për të nderuar dhe vlerësuar me respektin me të lartë presidentin e parë të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për vlerat euroatlantike që i ka vënë në skenën politike kosovare”, ka thënë Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm.

Njeriu që erdhi në postin që e la bosh presidenti Rugova, në krye të vendit dhe të LDK-së, Fatmir Sejdiu, në homazhet në varrezat në “Velani” tha se tash nuk vërehet vetëm mungesa fizike, por edhe dinamika e veprimit e dr. Rugovës.

Homazhe te varri i ish-presidentit ka bërë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Presidenti Rugova është pjesë e historisë tonë, është Kosova. Në këtë nderim kujtojmë Presidentin Rugova, të gjithë ata që në mënyrën e tyre kanë kontribuar që të jemi të lirë, që ta kemi Kosovën” tha Haradinaj.

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, ka ndërruar jetë më 21 janar 2006, disa muaj pasi ishte diagnostikuar me kancer në mushkëri.

Varrimi i tij, më 23 janar 2006, është bërë me nderime të larta shtetërore. Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të lartë të shteteve mike të Kosovës, të organizatave ndërkombëtare dhe një numër i paparë i qytetarëve të vendit dhe nga trojet e tjera shqiptare.