Foto; Zyra e Presidentit

Presidenti Pret Lajme Pozitive nga Brukseli

Thaçi u takua sot me drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit Hasan Preteni, ndërsa mori nga ai raportin janar – dhjetor 2015 të AKK-së.

“E falënderova për punën e shkëlqyer që e ka bërë ndaj nxjerrjes së raportit janar – dhjetor 2015. Dëshiroj të potencoj se Agjencia Antikorrupsion ka bërë një punë tepër të mirë, shumë profesionale, një punë shembull edhe për institucionet e tjera,” tha Thaçi.

Ai shtoi se Kosova ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërsa duke iu referuar raporteve të huaja dhe vendore rreth korrupsionit kreu i shtetit tha se kjo është “më shumë perceptim se sa realitet”.

“Tani presim edhe lajme pozitive nga Brukseli sa i përket rekomandimeve për liberalizimin e vizave dhe një nga kriteret kryesore që po ndikon në këtë lajm pozitiv është lufta e suksesshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në institucionet e Republikës së Kosovës,” tha Thaçi.

Ndërkaq, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit Hasan Preteni, tregoi se 99.5 për qind të zyrtarëve e kanë deklaruar pasurinë.

“Sipas Ligjit për Deklarim të Pasurisë janë diku rreth 4 mijë e 400 zyrtarë të lartë që e kanë për obligim ta deklarojnë pasurinë. 99.5 për qind të zyrtarëve e kanë deklaruar pasurinë, ose nga 4 mijë e 400 vetëm 21 prej tyre jo, po flas për afate ligjore. Ndërkohë pas publikimit të listave, edhe nja 12 ose 13 prej tyre kanë ardhur në agjenci kështu që për momentin flasim për një përgjegjësi të fuqishme të zyrtarëve të lartë që të vijnë ta kryejnë një obligim ligjor,” tha Preteni.

Zyrtarët e lartë kosovarë kanë obligim ta deklarojnë pasurinë e tyre nga fillimi deri në fund të muajit mars.

Preteni ka shtuar se ky është raporti i 9-të vjetor dhe agjencia sipas tij ka marrë mbështetjen e Presidentit në vazhdimësi pa marrë parasysh se cili ka qenë niveli i tij i angazhimit.

“Agjencia që nga viti 2010 e ka edhe buxhetin e kërkuar, i ka edhe kushtet e mira për punë, ka edhe stafin sipas organogramin, kështu që probleme logjistike nuk kemi,” shtoi më tutje Preteni.

Ndërkaq, presidenti Thaçi, sot ka zhvilluar takim edhe me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamzën dhe me deputetët e Grupit 6+.

Thaçi i ka inkurajuar të gjitha subjektet politike, duke përfshirë edhe opozitën, bartësit e institucioneve legjislative dhe ekzekutive që të zhvillojnë takime sikur ditëve të mëhershme për t’i diskutuar çështjet që janë të rëndësishme për shtetin, qoftë për perspektivën evropiane, për reformën demokratike, për reformat elektorale, etj.

Sipas Presidentit Kosova ka një funksionim normal të institucioneve legjitime me mandat kushtetues dhe ligjor.