Posta Sërish Kërkon Kompensim nga Qeveria për të Kaluar Krizën e Pagave

Posta e Kosovës ka reaguar lidhur me mos pagesën e punëtorëve të saj këtë muaj për shkak të krizës financiare në të cilën gjendet ndërrmarja.

Në një njoftim për media, Posta ka bërë të ditur që ndan shqetësimin me punëtorët për moekzekutimin e pagave, por sipas tyre kjo po bëhet për shkak të mos kryerjes së obligimeve nga Qeveria e Kosovës për Postën.

“Ne kemi kërkuar me kohë mbulimin e humbjeve që kemi në Shërbimin Universal Postar përmes dhjetëra shkresave zyrtare drejtuar Qeverisë, që nga viti 2013 e deri me tani, por edhe pse është obligim ligjor mbulimi i këtij shërbimi i cili rrjedh nga Ligji mbi Shërbimet Postare dhe Marrëveshja e nënshkruar nga MZHE dhe Posta e Kosovës, e cila precizon qartë që kur Posta nuk mund të mbulojë shpenzimet e këtij shërbimi, Qeveria duhet ta mbulojë humbjen. Ne ende nuk kemi asnjë vendim pozitiv në këtë drejtim”, thuhet në njoftim.

Ata po ashtu kanë bërë të ditur se për kompensimin prej mbi 3 milionë euro nga Qeveria e Kosovës ata kanë ndjekur edhe rrugët ligjore.

“Mbulimin e Shërbimit Universal Postar, Posta e ka kërkuar edhe përmes rrugëve tjera ligjore. Përmbaruesi privat por edhe Gjykata Themelore në Prishtinë, kanë dhënë qëndrimin e tyre që Qeveria është e obliguar t’i paguaj Postës 3,504,341.89 €  përfshirë ne këtë vlerë kamatën dhe shpenzimet tjera deri në datën kur janë nxjerr vendimet”

Edhe pse sot jemi në datën 6 të muajit prill, Posta e Kosovës ende nuk ka mundur që të ekzekutojë të gjitha pagat për punonjësit e saj.

Sipas Postës faktor tjetër që po ndikon në vonesat e ekzekutimit të pagave të punonjësve, është vonesa e Telekomit të Kosovës në kryerjen e obligimeve kontraktuale që ka me Postën e Kosovës.

http://kallxo.com/punetoret-e-postes-nuk-kane-marre-pagen-sindikata-kerkon-perkrahje-edhe-nga-qeveria/