Ilustrim: Kallxo.com

Policia identifikon 58 fëmijë e 42 të rritur lëmoshë-kërkues, ngrihen 8 kallëzime penale

58 fëmijë, 21 shtetas kosovarë dhe 37 shtetas shqiptarë, lëmoshëkërkues janë identifikuar nga ana e policisë gjatë një operacioni i zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ).

Përveç fëmijëve, policia ka njoftuar se ka identifikuar gjithashtu edhe 42 lëmosh kërkues të rritur, gjashtë nga ta kosovarë dhe 36 shtetas shqiptarë.

“Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme në parandalimin e dukurive negative, në veçanti luftën kundër abuzimit me fëmijë, ka përpiluar një plan operativ të emëruar “Identifikimi i fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit ” i cili plan u implementua në qershor 2019 dhe është zbatuar në gjithë territorin e Kosovës, nga të gjitha njësitë e drejtorisë kompetente policore dhe akterët tjerë relevantë, si: prokuroritë në rajonet përkatëse, qendrat për punë sociale, Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, njësitë e migrimit në kuadër të drejtorive rajonale të Policisë Kufitare (DRP-ve Kufitare), Stacionet Policore etj”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu në lidhje me këtë operacion janë ngritur edhe kallëzime penale ndaj 8 personave të dyshuar për veprën penale “keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”.

“Të gjithë fëmijët lëmoshë kërkues kanë qenë të shoqëruar nga familjarët e tyre dhe të pajisur me dokumente. Në prani të punëtorit social, të gjithë fëmijëve lëmoshë kërkues u është plotësuar formulari për shënimet e lëmoshë kërkuesve dhe janë marrë në pyetje familjarët e tyre, me qëllim të identifikimit të viktimave potenciale të trafikimit me njerëz. Gjatë marrjes në pyetje nuk është identifikuar asnjë viktimë e trafikimit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po ashtu policia ka treguar edhe masat e ndërmarra ndaj këtyre personave.

“Fëmijët të cilët nuk kanë rezultuar viktima të trafikimit me njerëz janë ndërmarrë këto masa si më poshtë: Është konsultuar prokurori përkatës, janë iniciuar 8 raste ‘keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’ sipas nenit 243 të Kodit Penal të Kosovës dhe janë dorëzuar kallëzime penale kundër 8 të dyshuarve, prindërve të fëmijëve lëmoshë kërkues, ndërsa janë identifikuar 21 fëmijë si viktima të kësaj vepre penale, Të gjithë fëmijët e hasur duke kërkuar lëmoshë (58) janë referuar në (qendrat për punë sociale (QPS) përkatëse, Pas trajtimit të rasteve veç e veç dhe verifikimit të rrethanave, në konsultim me Prokurorinë dhe QPS-të përkatëse, shtetasit e Shqipërisë janë referuar në drejtorinë përkatëse (DMH) për trajtim të mëtutjeshëm sipas kompetencave”, thuhet në njoftim.