Gjykimi i ish-zyrtarëve të akreditimit | Foto: KALLXO.com

Përplasje mes Prokurorit dhe Mbrojtësve në Gjykimin e ish-Zyrtarëve të Akreditimit

Në gjykimin e i ish-zyrtarëve të agjencisë së akreditimit Basri Muja e Ferdije Zhushi si dhe Armend Mujës, si dëshmitar i radhës u dëgjua ish i akuzuari Naim Braha.

Braha ka qenë i akuzuar për dhënie të ryshfetit, por i është vjetërsuar lënda.

Gjatë dëshmisë së tij, Braha kryesisht u pyet rreth takimit që ai kishte pasur me Avni Mazrekun i cili është drejtor në kolegjin “ISPE”.

Prokurori special Abdurrahim Islami, fillimisht dëshmitarin e pyeti nëse ai e njihte një person me nofkën “doktori” dhe nëse ishte takuar ndonjëherë me të njëjtin e më pas t’i ketë kërkuar atij ndonjë favor apo anasjelltas.

“A keni biseduar me të në lidhje me ndonjë çështje private, dhe a ke kërkuar ti apo ai ndonjë favor nga njëri- tjetri “, e pyeti prokurori dëshmitarin.

Dëshmitari pasi që e pohoi se personi me nofkën “doktori” ishte Ramadan Idrizaj tha se atë e kishte takuar në spitalin “Rezonanca” pasi që kishte shkuar për të bërë disa ekzaminime mjekësore.

Tutje dëshmitari tha se këtë person e kishte takuar edhe me pas, por që kishin biseduar kryesisht rreth kolegjeve, pasi që edhe ai e kishte një kolegj.

“Kemi biseduar kryesisht në lidhje me kolegjet pa kërkuar asnjë favor nga njëri- tjetri” u përgjigj dëshmitari.

Tutje prokurori e pyeti dëshmitarin, edhe nëse ishte takuar me drejtorin e kolegjit “ISPE” Avni Mazrekun, për të cilin e pyeti nëse kur ishin takuar kishin biseduar rreth disa të hollave të cilat sipas prokurorit janë dhënë ryshfet.

“A je takuar ti me Avni Mazrekun në një kafene dhe a keni biseduar në lidhje me dhënien e ryshfetit nga ana juaj”, e pyeti prokurori.

“Po, me Avni Mazrekun jam takuar, arsyeja ka qenë për të bërë një bashkëpunim në mes të dy kolegjeve vendore pasi është kërkuar nga agjencioni”, tha Braha.

“Unë po të pyes për lisa e ti po flet për fshisa, nuk të pyeta për këtë temë të pyeta në lidhje me dhënien e ryshfetit” reagoi më pas prokurori.

Duke pasuar kështu edhe me reagime nga mbrojtësi Bajram Tmava si dhe përfaqësuesja e Naim Brahës, Donika Dobruna e cila tha se prokurori gjatë marrjes në pyetje të klientit të saj, më shumë po bën komente sesa që po e pyet.

“Keni biseduar konkretisht me Avniun lidhur me shumën që ju e keni dhënë në vlerë prej dhjetë mijë eurove në lidhje me akreditim”, e pyeti përsëri prokurori dëshmitarin.

Por kjo pyetje nuk u lejua nga trupi gjykues duke kërkuar kështu riformulimin e pyetjes nga ana e prokurorit.

Kurse komenti i dëshmitarit ishte se “Nuk dua të përgjigjem në këtë pyetje”.

Por në lidhje me takimin dëshmitari tha se ishte bërë në bazë të kërkesës së Avniu Mazrekut, i cili e kishte ftuar të bisedonin rreth çështjes së bashkëpunimit në mes të kolegjeve, ndonëse tha se kjo kishte qenë hera e parë që ishin takuar jashtë kolegjit, sepse zakonisht takimet i zhvillonin brenda në kolegj.

“Në takimet që i keni bërë në kolegj a është biseduar rreth akreditimit dhe lidhur me çështjen e shumës së të hollave”, insistoi përsëri prokurori.

E pas kësaj pyetje përsëri reaguan mbrojtësit e të akuzuarve.

Pas reagimit të mbrojtësve, kryetarja e trupit gjykues Valbona Selimi e udhëzoi edhe njëherë dëshmitarin rreth të drejtave që kishte ai si dëshmitar, duke i rikujtuar që në momentin që mendon se me përgjigjën e dhënë mund ta inkriminojë veten, apo të afërmit mund edhe të mos përgjigjet.

Por dëshmitari vendosi të përgjigjej dhe tha se me Avni Mazrekun kur janë takuar në kolegj kishin diskutuar vetëm rreth marrëveshjes në mes të dy kolegjeve.

Prokurori dëshiroi të dinte nga dëshmitari edhe në lidhje me një student me emrin Hasan, që tha se i është përmendur emri gjatë bisedave të cilat janë përgjuar.

Në lidhje me çka dëshmitari u përgjigj “Nuk më kujtohet”.

Pas kësaj përgjigjeje prokurori në shenjë revolte deklaroi se nuk dëshiron ta marrë në pyetje më tej dëshmitarin duke potencuar faktin se sipas tij dëshmitari me përgjigjet që jep nuk e inkriminon veten pasi që lënda ndaj tij është vjetërsuar dhe më pas prokurori ka hequr dorë nga ndjekja penale.

“Dëshmitari e ka obligim që të përgjigjet në të gjitha pyetjet që di, e jo të mos përgjigjet, andaj më tutje unë nuk do të vazhdojë ta marrë në pyetje këtë dëshmitar” deklaroi prokurori Abdurrahim islami.

Sipas prokurorit, trupi gjykues në shumicën e rasteve po e udhëzon dëshmitarin që nëse mendon që e inkriminon veten mund të mos përgjigjej, e sipas prokurori kjo nuk qëndron pasi që asnjëherë nuk mund të ngrihet përsëri aktakuzë për një vepër e cila është vjetërsuar.

“Nga ana e kryetares së trupit gjykues pothuajse në gjitha rastet ju tërheq vërejtja dëshmitarit se nuk është i obliguar që të përgjigjet në këto pyetje pasi që e sjell veten në pozitë të palakmueshme apo para ndonjë turpi, gjë e cila sipas mendimit tim nuk qëndron ngase nuk ka mundësi”, tha prokurori.

Më pas dëshmitarit i parashtroi pyetje edhe mbrojtësi i Basri Mujës. Ai e pyeti në lidhje me akreditimin e programeve, pasi që dëshmitari deklaroi se ata në vitin 2011 kishin aplikuar për dy programe të cilat u ishin refuzuar, e më pas kishin aplikuar vitin tjetër me po të njëjtat provime e që më pas u ishin akredituar.

“Për programet tjera për të cilat prokuroria po pretendon se nuk janë akredituar, a keni ndërmarrë ndonjë veprim për të kontaktuar me autoritetin e agjencionit për të dituar arsyet pse”, kërkoi të dinte avokati Tmava.

“Fillimisht në vitin 2011 kemi aplikuar për të njëjtat programe të cila janë akredituar në vitin 2012, në aplikacionin e parë ka pasur vërejtje në lidhje me stafin dhe përmirësimin e programeve të cilat pastaj i kemi përmirësuar në vitin 2012”, deklaroi dëshmitari.

Kurse prokurori pasi që dëshmitarit nuk i kujtoheshin shumë gjëra në lidhje me takimin e tij me Avni Mazrekun kërkoi që të lëshohej biseda e përgjuar në mes të këtyre dy personave që të vërtetoheshin këto rrethana.

Por kjo kërkesë u refuzua nga trupi gjykues me arsyetimin se dëshmitari nuk e ka kontestuar asnjëherë takimin mes tij dhe Avni Mazrekut dhe se kjo bisedë është pjesë e dosjes.

Në këtë proces gjyqësor Basri Muja dhe Ferdije Zhushi ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Ndërsa Armend Muja akuzohet për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje.

http://kallxo.com/basri-muja-pyet-hetuesin-per-3-persona-qe-quan-seksere/