Pamje nga një aksident në trafik - Foto: KALLXO.com

Përkeqësimi i Motit, Policia Apelon për Siguri në Trafik

Policia e Kosovës njofton se duke pasur paraysh përkeqësimin e motit, të reshurat e shiut dhe mundësinë e paraqitjeve të ngricave në ditët në vijim do të ndërmarrë masa konkrete në ngritjen e nivelit të sigurisë  në komunikacionin rrugor, si në aspektin parandalues po ashtu edhe në atë veprues.

“Ne kemi zhvilluar në vazhdimësi një numër të madh të aktiviteteve në funksion të sensibilizimit të qytetarëve dhe vetëdijesimit të tyre lidhur me parandalimin e aksidenteve rrugore, duke filluar nga fushatat vetëdijsuese përmes spoteve të ndryshme televizive, broshurave, komunikatave, apeleve dhe informacioneve për publikun, me të vetmin qëllim – parandalimin e aksidenteve dhe ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik”, thekson Policia në një komunikatë.

Po ashtu, forcat e rendit thonë se në mënyrë konsistente kanë zhvilluar dhe implementuar plane operative policore konkrete, si dhe kanë ndërmarrë masat e nevojshme ligjore, duke përfshirë edhe shqiptimin e gjobave aty ku pjesëmarrësit në komunikacion kanë rënë ndesh me Ligjin mbi sigurinë e komunikacionit rrugor.

“Policia e Kosovës vazhdon të apelojë te te gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të jenë më të kujdesshëm dhe t’i respektojnë rregullat që dalin nga Ligji për komunikacionin rrugor, t’i respektojnë shenjat e trafikut, si dhe t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe kushteve atmosferike, sidomos në orët e hershme dhe të vona, në mënyrë që të parandalohen aksidentet dhe pasojat e mundshme në njerëz”, thuhet në komunikatën e Policisë.

KALLXO.com ka raportuar shpesh për aksidente në komunikacion, të cilat në disa raste kanë përfunduar edhe me fatalitet.

Një aksidenti i tillë ka ndodhur dje në fshatin Gërlicë të Ferizajt. Sipas Policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:55. Në të kanë qenë të përfshira dy automjete civile.

Në këtë aksident lëndime kanë marrë dy persona, njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë. I lënduari tjetër është dërguar në QKUK.

KALLXO.com kishte raportuar në korrik të këtij viti për një rritje shumë të madhe të numrit të aksidenteve në trafik në gjashtëmujorin e parë.

http://kallxo.com/rritje-e-frikshme-e-numrit-te-aksidenteve/