Drejtori i Policisë raporton në Komisionin për Siguri, përballet me kritika dhe akuza nga deputetët

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, është ftuar për të raportuar në Komisionin për Siguri, me ç’rast është përballur me pyetje të shumta, si dhe me kritika e akuza nga mbikqyrësit parlamentarë.

Kryetari i komisionit, Bekë Berisha (AAK) hodhi disa akuza ndaj partisë në pushtet- Vetëvendosje dhe vetë Hoxhës, të cilat u mohuan nga shefi i Policisë.

Berisha tha se shkarkimi i shefit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve në Policinë e Kosovës, Shemsi Haziri, është bërë me ardhjen në pushtet të LVV-së, disa muaj pas marrjes së detyrës nga Hoxha dhe pikërisht në kohën e hetimeve ndaj ambasadorit Martin Berishajt, ish-kryeshefit të KEK-ut, Ragip Krasniqit, ministres së Industrisë  dhe ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

“Sveçla kishte kërkuar llogari nga Haziri se përse është ngutur për të dorëzuar kallëzim penal për Berishajn. Për këto ekzistojnë edhe incizime edhe raportime” – tha Berisha, më 10.05.2024.

Ai shtoi se me ardhjen në pozitë të shefit të ri, Besim Berisha, ka pasur shumë ndryshime e transferime, duke aluduar edhe për emërime të personave të afërt me shefin e hetimeve dhe me ministrin. Ai shtoi se është rritur presioni ndaj hetuesve, e si rezultat kanë qenë 4 largime nga hetuesit.

“Ky i fundit vite më parë ishte larguar nga po kjo njësi. Besim Berisha vjen nga fshati Konushefc, fshat komshi me fshatin Sveçël, nga ku e ka prejardhjen ministri Sveçla” – tha deputeti Berisha.

Ai vazhdoi duke thënë se format e presionit kanë qenë: obligimi i hetuesve që të raportojnë me shkrim për çdo takim me prokurorët, vlerësimi i dobët i performancës për hetuesit që hetojnë rastet e ministrave dhe dërgimi në trajnime i personave të afërt me shefin e ri.

Drejtori i Policisë, Hoxha mohoi akuzat duke thënë se shkarkimi i Hazirit ka qenë për shkak të reformës dhe rritjes së kapaciteteve.

I pyetur se a janë bërë ndryshimet për t’i mbrojtur ministrat, Hoxha tha se asnjë ndryshim nuk bëhet për të mbrojtur dikë dhe se ai nuk merret me emra të përveçëm, se kush hetohet, dhe se drejtues i hetimeve nuk është policia por prokuroria.

Për katër policët e larguar, ai garantoi se nuk kanë pasur presion, por janë larguar me kërkesa të tyre.

“Te Shemsiu, këtë e kam transferu unë në kuadër të reformave, është ndërru drejtori dhe shefi për Drejtorinë e Krimeve të Rënda, është ndërru ai i Forenzikës dhe është emëru drejtori i ri i Divizionit të Hetimit. Ne e kemi emëru atë (Shemsiun) zëvendësdrejtor të Drejtoria e drogave sepse ajo është e rëndësishme” – tha Hoxha.

Nënkryetari i Komisionit, Enver Dugolli e deputetja Shqipe Selimi, të dy nga pozita, patën ankesa ndaj kryetarit të komisionit. Ata thanë se ai keqpërdori pozitën duke bërë akuza të rënda.

“Po ndihem tepër keq si nënkryetar i komisionit- nuk është detyrë e jona të lëshohemi kështu. Ka pas prononcime publike ku janë potencu emrat që i përmende këtu. Ka shumë akuza të rënda që më vjen keq që ju kanë përmend emrat nëpër foltore. Por, t’i shohin kush ia ka përmend emrat nëpër media dhe t’i padisin për këto akuza” – tha Dugolli.

Ndërkaq, Selimi pati edhe një sugjerim për Berishën.

“Ju për gjysme ore keni bo referat duke e akuzu drejtorin, ju kisha sugjeru ta bënit një konferencë për shtyp e jo ta keqpërdorni Policinë në mbledhje të komisionit” – tha ajo.

Kryetari Berisha tha se drejtori ka qenë saktë i informuar se çka do të diskutohet sot dhe se këto nuk janë akuza, por janë çështje të diskutuara në media.