Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, Foto: KALLXO.com

IPK rekomandon suspendimin e policit kryesindikalist, dyshohet se incizoi pa autorizim

Inspektorati Policor i Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor, i dyshuar se ka kryer veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.

Sipas kësaj komunikate, IPK me të marrë informacionin se është kryer vepra penale nga zyrtari policor, ka nisur menjëherë hetimet ndaj tij.

Burime të KALLXO.com kanë treguar se zyrtari i dyshuar është kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

KALLXO.com mëson se Zeqiri dyshohet se në mënyrë të paautorizuar ka lënë telefonin e tij në zyrën e nënkryetarit të Sindikatës duke incizuar paligjshëm.

Telefoni i Zeqirit është gjetur nga pjesëtarë të Sindikatës e më pas është marrë vesh se i përket kryesindikalistit.

Kurse, në komunikatën e IPK-së nuk kanë dhënë informacion se është fjala për Zeqirin, porse i janë referuar me titullin “toger policor”.

Se si e kishte kuptuar IPK se Zeqiri ka kryer veprën penale, IPK thotë se Departamenti i Hetimeve përmes Linjës së Kaltër (numrit të telefonit pa pagesë 080003333) ka pranuar më 10.05.2024 një informacion nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimet se nga një toger policor është kryer vepra penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.

Pas pranimit të këtij informacioni, IPK ka dalë në vendin e ngjarjes, i cili konfirmohet se është në zyrat e Sindikatës së Policisë së Kosovës.

“Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se është kryer vepra penale respektivisht në zyrat e Sindikatës së Policisë së Kosovës. Zyrtarët e IPK-së kanë kontaktuar me Prokurorin kompetent duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore së bashku edhe me njësi relevante të Policisë së Kosovës” – kanë njoftuar nga IPK.

Pasi hetuesit e IPK-së kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe kanë konfiskuar një telefon mobil, kanë rekomanduar suspendimin e zyrtarit të dyshuar.

“Në kuadër të veprimeve hetimore është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes si dhe është konfiskuar një telefon mobil i cili pritet të dërgohet për ekzaminim të mëtutjeshëm forenzik. IPK pas veprimeve fillestare hetimore ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit të dyshuar” – njoftojnë nga IPK.

Si përfundim, IPK ka theksuar se mbeten të përkushtuar në përmbushje të misionit ligjor në konsultim të vazhdueshëm edhe me prokurorin përgjegjës për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.