Selia e PDK-së në Deçan

Perdet u Dogjën në Selinë e PDK-së në Deçan

Mënyrën se si ndodhi sulmi ndaj kësaj selie e tregoi për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës Xhevat Ibraj

“Mbrëmë rreth orës 21:00 persona të dyshuar kanë sulmuar zyrat e degës së PDK-së në Deçan. Përmes një xhami të thyer më herët të kësaj zyreje, persona të dyshuar ua kanë vënë flakën perdeve dhe si pasojë e këtyre flakëve ka pasë dëme të perdeve dhe jo më shumë dëme të mëdha brenda objektit,” tha Ibraj.

Zjarrvënien në këtë seli e dënoi Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës

“Aktet e tilla që kanë motive të qarta politike dhe të cilat cenojnë pluralizmin janë të papranueshme dhe të dënueshme. Partia Demokratike e Kosovës u bën thirrje të gjitha organeve kompetente që ky akt të ndriçohet sa më shpejt dhe autorët e kësaj vepre të shëmtuar të vihen para drejtësisë,” thuhet në reagimin e Kryesisë së PDK-së.

Kjo Kryesi djegien e lidhi me zgjedhjen e Hashim President mbrëmë.

pdk

Në kohën kur ndodhi djegia, tashmë kreu i PDK-së ishte zgjedhur kryetar i vendit, ndërsa simpatizantë të kësaj partie po festonin në Prishtinë e Skenderaj.

Më herët gjatë kohës sa po votohej në tri raunde për zgjedhjen e Thaçit President, opozita u mundua me gaz lotsjellës brenda Kuvendit dhe me protesta jashtë të pengojë këtë zgjedhje.

Por Kushtrim Loshaj, kryetar i të rinjve të AAK-së në Deçan kur foli për KALLXO.com nuk dëshiroi që rastit të djegies t’i jepet ngjyrim politik.

“Thyerja e xhamave të zyrave të PDK-së në Deçan është një akt i papranueshëm. Ne kemi raporte shumë korrekte me degën e PDK-së në Deçan dhe ky akt, nga kushdo që është bërë, është qëllimkeq dhe për synim ka futjen e intolerancës politike në komunën tonë,” tha Loshaj.

Ai nuk e mohoi se mund të ketë pasur qytetarë të Deçanit të pakënaqur me zgjedhjen e Thaçit President.

“Qytetarët e Deçanit me kulturën e tyre nuk duan të bien në asnjë variant në provokime, meqenëse ndonjë qytetar ka mujtë me qen i pakënaqur me zgjedhjen e Thaçit president.Shpresojmë që nuk është ndonjë skenar për të luajtur rolin e viktimës,” tha Loshaj.

Në protestën e djeshme opozitare në Prishtinë u pa edhe kryetari i Deçanit Rasim Selmanaj.

rasim