Hamza ia ndryshon qëndrimin partisë: PDK-ja do t'i votojë marrëveshjet ndërkombëtare

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka deklaruar se Grupi Parlamentar i PDK-së do të votojë pro marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.

Në një konferencë për media, Hamza e ka falënderuar Grupin Parlamentar dhe Kryesinë e PDK-së që e kanë përkrahur qëndrimin e tij, sepse siç ka thënë ai, votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare do të sjellë më shumë investime në Kosovë.

“PDK do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare. Për ne, për mua si kandidat për kryeministër, prioritetet janë të qarta. Fillimisht interesi i vendit, pastaj i partisë politike dhe në fundi i yni si individë brenda partisë politike, por mbi të gjitha e përtej të gjithave interesi i qytetarëve të vendit. Fatkeqësisht, Kosova është nën masa, nën sanksione dhe janë qindra miliona euro të bllokuara”- është shprehur Hamza.

I nominuari i PDK-së për kryeministër theksoi se duhet të kthehet optimizmi te qytetarët dhe të krijohet klima e mirëbesimit nga investitorët ndërkombëtarë për të krijuar vende të reja pune dhe përmirësim të standardit të jetesës.

“Siç e dini standardi i jetesës së qytetarëve tanë është rënduar viteve të fundit si rezultat i ngritjes enorme të çmimeve, e cila nuk ka qenë e përcjellur me ngritjen e të ardhurave. Këto trende duhet të ndalohen, duhet të punojmë në përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve tanë. Përndryshe do të vazhdojmë të ballafaqohemi me rrezikun më të madh që ka Kosova, e që është emigracioni. Nëse e humbim fuqinë punëtore, kapitalin, vajzat, djemtë e rinj, burrat, gratë, personat e kualifikuar, atëherë ky do të jetë një dëm i madh për vendin”- shtoi Hamza.

Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare është në rend të ditës në seancën e nesërme, më 16.05.2024, e cila do të fillojë në ora 10:00.

Për një kohë të gjatë, ekzekutivi ka bërë përpjekje në Kuvend që të sigurojë votat e mjaftueshme për të votuar ujditë ndërkombëtare, vlera e së cilave kalon shifrën 300 milionë euro.

Ndonëse Qeveria Kurti e ka shumicën parlamentare për të miratuar ligjet, për këto marrëveshje nevojiten së paku 80 vota të deputetëve.

PDK dhe AAK kishin kushtëzuar votimin e tyre me shpalljen e zgjedhjeve të reja dhe shpërbërjen e Kuvendit. Kurse LDK-ja pati thënë se do i mbështesë marrëveshjet, përveç marrëveshjes financiare me Fondin Zhvillimor të OPEC-ut.

PDK insistonte se nuk do t’i votonte marrëveshjet ndërkombëtare, pasi sipas tyre Kosova, është ende nën masat e Bashkimit Europian.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca pati thënë se po i pengon mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga ana e opozitës.

“Mazhoranca e ka shumicën e cila mund të votojë projektligje, por më pengon që Kuvendi që disa muaj e ka humb kapacitetin me miratu marrëveshje ndërkombëtare” – pati deklaruar Konjufca.

Duke e cilësuar si dëm të madh që po i bëhet vendit me këtë veprim, ai kishte thënë se marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë me librezë partiake, por janë përfitim për popullin.

“Kur ke donacione që po ofrohen dhe nuk e ki opozitën e gatshme me i mbështet ato, kjo e qet keq dhe e dëmton shtetin e Kosovës. Sepse portretizohet si shtet që nuk ka kapacitet me hy në marrëdhënie ndërkombëtare, me lidh marrëveshje serioze me shtete” – pati theksuar ai.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dy ditë më parë, më 13.05.2024 ka zhvilluar një takim me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, me të cilin përveç çështjes së zgjedhjeve të reja, u tha se kanë diskutuar edhe për agjendën legjislative me theks të veçantë marrëveshjet ndërkombëtare.

Kuvendi para një episodi të ri në serinë për marrëveshjet ndërkombëtare