Qeveria e shpërbën ndërmarrjen publike 'NKEC'

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 21.05.2024, ka shpërbërë ndërmarrjen publike qendrore “Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës (NKEC)”.

Kryeministri i Kosovës,Albin Kurti tha se kjo ndërmarrje ishte themeluar për të mbështetur një projekt për ndërtimin e një termocentrali të ri.

“Ajo ishte themeluar në vitin 2018 për të mbështetur një projekt për ndërtimin e një termocentrali të ri. Meqë projekti nuk është realizuar dhe kanë pushuar shkaqet për ekzistimin e ndërmarrjes, Qeverisë i është rekomanduar ta shpërbëjë ndërmarrjen”- ka thënë ai.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se kanë pushuar shkaqet juridike për ekzistimin e kësaj ndërmarrjeje, andaj bordi i drejtorëve e përgatiti shpërbërjen e ndërmarrjes.

“Ndërmarrja NKEC nuk është duke e ushtruar veprimtarinë për të cilën është themeluar ose ndonjë veprimtari tjetër komerciale për një kohë. Mirëpo tani kanë pushuar edhe shkaqet juridike për ekzistimin e ndërmarrjes. Në përputhje me udhëzimet nga memorandumi shpjegues, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve ka përgatitur shpërbërjen e ndërmarrjes”- tha Rizvanolli.