Inspektorati Policor rekomandon suspendimin e tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës.

Dy prej tyre dyshohet se kanë kryer veprën penale – sulm pas një mosmarrëveshjeje mes njëri-tjetrit.

Sipas njoftimit, njëri prej tyre ka qenë staf civil e tjetri zyrtar policor, të dy punonjës në Stacionin Policor në Lipjan.

E në rastin tjetër është suspenduar një pjesëtar civil (pa autorizime policore) i Stacionit Policor në Fushë-Kosovë, pas dyshimit se ka kryer veprën penale – zbulim i fshehtësisë zyrtare.

Ai dyshohet se u ka dhënë informacion mediave lidhur me të kaluarën kriminale të një të dyshuari për dhunë në familje.

“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se stafi civil gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare kishte hyrë në bazën e të dhënave të Policisë së Kosovës dhe kishte bërë verifikimin e një personi që dyshohet se kishte kryer dhunë në familje. Rasti për të cilin kishte kërkuar zyrtari nuk kishte ndodhur në territorin ku kompetent ishte stacioni policor i Fushë Kosovës” – thuhet në njoftimin e IPK-së.

IPK thotë se hetuesit e tij pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore për të sqaruar rrethanat e këtyre rasteve në konsultim me prokurorin.