Nuk kalon marrëveshja me Danimarkën për burgje, PDK voton kundër

Marrëveshja ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e burgut të Gjilanit me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, ka dështuar të ratifikohet sot, më 16.05.2024 në Kuvendin e Kosovës. Kundër kanë votuar 75 deputëtë dhe 13 vota ishin kundër kësaj marrëveshje.

Nga opozita pro kësaj marrëveshje kanë votuar Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës përkundër deklarimit të djeshëm se do t’i mbështesin marrëveshjet ndërkombëtare, kur u hodh në votim kjo marrëveshje, deputetët e saj votuan kundër.

Nga PDK-ja pro kësaj marrëveshje votoi vetëm deputetja Eliza Hoxha.

Kosova dhe Danimarka kanë nënshkruar letër-pëlqim për sjelljen e 300 të burgosurve nga Danimarka në Kosovë në dhjetor të vitit 2021, ndërsa në prill të vitit 2022, dokumenti është shndërruar në traktat. Qeveria e Kosovës ka miratuar më 07.06.2023 projektligjin për Ratifikimin e këtij traktati.

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka deklaruar dje, më 15.05.2024 se Grupi Parlamentar i PDK-së do të votojë pro marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.

Në rend të ditës së seancës së sotme është votimi i 13 marrëveshjeve, ratifikimi i të cilave është bllokuar tash e disa muaj për shkak të pamundësisë të sigurimit të votave nga partia në pushtet.

Ndonëse Qeveria Kurti e ka shumicën parlamentare për të miratuar ligjet, për këto marrëveshje nevojiten së paku 80 vota të deputetëve.

Sot në Kuvend nuk kaloi as marrëveshja me OPEC-un, pasi që LDK votoi kundër.

Pro kësaj marrëveshje kanë votuar 76 deputetë, 10 vota kundër, 1 abstenim.

Nga opozita, pro votuan PDK dhe AAK.