Pejë, Prokuroria e Policia në ndjekje të ushqimeve të dëmshme

Prokuroria e Pejës së bashku me Policinë e Rajonit të Pejës, janë vënë në “luftim” të vënies në treg të artikujve të dëmshëm ushqimor.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, gjatë ditës së sotme ka mbajtur takim me komandantin e stacionit policor të Pejës, major Nue Nikolla, shefin e hetimeve në stacionin policor të Pejës, kapitenin Muhamet Kurtbogaj, dhe inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në kuadër të zyrës regjionale në Pejë. 

“Gjatë këtij takimi me theks të veçantë u diskutua për parandalimi e vënies në treg të artikujve të dëmshëm ushqimor, dhe gjithashtu për hartimin e planit të veprimit për identifikimin e objekteve dhe lokaleve të cilët merren me këto veprimtari ilegale”, thuhet në njoftimin e prokurorisë së Pejës. 

Gjithashtu, Prokuroria Themelore e Pejës, ka inkurajuar të gjithë qytetarët të cilët hasin në produkte të dëmshme ushqimore, që pa hezitim t’i raportojnë në Prokurorinë Themelore të Pejës apo në Policinë e Kosovës.