Gjyqtari Naim Meholli | Foto: KALLXO.com

Pas padisë ‘Kosova e re’ kompenson të dëmtuarin e aksidentit

Pas  padisë ndaj kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re” ajo është pajtuar të paguajë 650 euro kompensim për dëmet në një aksident.

Gjatë seancës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë përfaqësuesi i paditësit, avokati Sheremet Ademi tha se paraprakisht ishte konsultuar me palën e paditur dhe sipas tij kanë rënë dakord që e paditura në këtë rast Kompania e Sigurimeve “Kosova e Re“ për të gjitha llojet e dëmit material dhe jomaterial t’i paguajë paditësit Ragip Igrishta shumën prej 650 eurove si dhe shpenzimet e procedurës në vlerë prej 254 eurove.

Sipas padisë, në korrik 2016 në Mitrovicë është shkaktuar një aksident në komunikacion në mes të dy veturave, ku paditësi në këtë rast ka qenë duke e drejtuar veturën e evidentuar me shkronjën “B” në padi, me ç ‘rast si pasojë e aksidentit paditësit Ragip Igrishta, i janë shkaktuar dëmtime materiale.

Ndërsa përmes kësaj padie, paditësi Igrishta kërkon nga gjykata që t’ia aprovojë padinë dhe kërkesëpadinë dhe të paguajë dënim material të shkaktuar me rastin e aksidentit në shumën e përcaktuar me rastin e arritjes së pajtimit gjyqësor në vlerë 650 euro.

Kështu është arritur pajtimi gjyqësor në mes të përfaqësuesit të paditësit, Ragip Igrishta, avokatit Sheremet Ademi dhe përfaqësuesit të të paditurës, kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”, Veton Robaj, në kontestin për kompensim dëmi me rastin e aksidentit në komunikacion.

Ky pajtim gjyqësor është aprovuar nga gjyqtari Naim Meholli dhe është mbështetur edhe nga pala paditëse.

Gjyqtari Meholli po ashtu konstatoi se ky pajtim gjyqësor nuk  është në kundërshtim me nenin 3, pikën 3 të Kodit Penal të Kosovës.

Ky nen lidhet me zbatimin e ligjit më të favorshëm.

Pas këtij pajtimi kjo çështje kontestimore u konsiderua se ka përfunduar në tërësi.