Revokimi i licencës së kompanisë ‘Kosova e re’, BQK njofton për vendimin e Supremes

Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se Gjykata Supreme i ka dhënë të drejtë në lidhje me shtyrjen e ekzekutimit të likuidimit të kompanisë së sigurimeve, ‘Kosova e re’.

Sipas Supremes,  aktvendimi i Gjykatës së Apelit ka qenë i qartë dhe i arsyetuar mjaftueshëm.

“Gjykata Supreme refuzon si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, të paditësit – propozuesit, Shoqëria “Fitorja”, Sh.P.K., e përfaqësuar nga Naser Maloku-Menaxher dhe aksionar i vetëm i Kompanisë se Sigurimeve, ’’Kosova e Re”, Sh.A., të ushtruar kundër aktvendimit te Gjykatës së Apelit në Prishtinë, AA nr. 998/2021, të datës 16.11.2021”, thuhet në njoftimin e Bankës Qendrore të Kosovës.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti përmes një konference për media të mbajtur në shtator të vitit 2021 ka njoftuar se bordi ekzekutiv ka vendosur të revokojë licencën e kompanisë së sigurimeve, “Kosova e re”.

Mehmeti ka thënë se kjo ka ndodhur si shkak i mos përmbushjes se kushteve ligjore dhe gjendjes financiare të kompanisë së sigurimeve, “Kosova e re”.

“Bazuar në kompetencat e BQK-së në takimin e mbajtur sot, bordi ka marrë vendim që siguruesit, ‘Kosova e re’ t’i revokohet licenca e datës 25 shkurt 2002. Siguruesi, ‘Kosova e re’ ka pasur problem me gjendjen financiare. ‘Kosova e re’ nuk ka arritur të përmbush kushtet ligjore dhe nuk ka pasur gjendje të mirë. Aksionarët nuk iu kanë përgjigjur kërkesës së BQK-së për rritjen e kapitalit në pajtueshmëri me kushtet ligjore. Kështu janë hapur procedurat e likuidimit të detyrueshëm”, kishte deklaruar Mehmeti.

Ndërkaq Naser Maloku nga kompania ‘Kosova e Re’, e ka quajtur të padrejtë vendimin e Bankës Qendrore.

Shkrimet për rastin e kompanisë ‘Kosova e Re’ mund t’i lexoni në këtë LINK.

BQK revokon licencën e kompanisë së sigurimeve, ‘Kosova e re’, fillon procedurat e likuidimit

‘Kosova e Re’ e quan të padrejtë vendimin e BQK-së për likuidimin e kompanisë