Vetëm Rahovecit i duhet një e treta e buxhetit të Qeverisë për dëmet në bujqësi

Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka ndarë 3 milionë euro fond për kompensimin e dëmeve të vitit 2022, ndërsa vetëm komuna e Rahovecit ka pësuar 1,735,851.65 euro dëme në kulturat bujqësore gjatë vërshimeve të 17 shatorit.

Gjithsej sipas raportit të Komunës ë Rahovecit 450 hektarë tokë janë dëmtuar dhe numri i fermerëve të dëmtuar është 543, në bazë të buxhetit prej 3 milionë euro Ministria parasheh mbulimin e dëmeve në të gjitha komunat për tërë vitin.

“MBPZHR-ja ka ndarë fondin e saj buxhetor prej rreth 3 milionë euro për kompensimin e dëmeve edhe për vitin 2022, përmes së cilit synohet të mbështeten fermerët në mbarë vendin të cilët pësojnë dëme në sektorin e bujqësisë nga fatkeqësitë natyrore, siç janë: erërat e forta, breshëri, vërshimet, përmbytjet dhe ngricat”- bën të ditur MBPZHR për KALLXO.com.

Raportet e dëmeve të komunës së Rahovecit dhe Gjakovës duhet t’i dërgohen komisionit për vlerësimin dëmeve me afat deri më 24 tetor 2022.

KALLXO.com ka pranuar përgjigjen nga MBPZHR që ky fond i paraparë do t’i përfshijë të gjitha komunat dhe dëmet e vitit në total.

“MBPZhR-ja është duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha komunat e Kosovës, të cilave edhe ua kemi përcjellë kërkesën për kompletimin e raporteve, të cilat pastaj duhet t’i dorëzojnë në MBPZhR, përkratësisht tek Komisioni për vlerësimin e dëmeve në sektorin e bujqësisë”- tregojnë ata.

E prekur nga vërshimet ka qenë edhe komuna e Gjakovës, raportimi i qytetarëve për dëmet ka qenë i hapur deri më datë 28 shtator, ndërsa për KALLXO.com komuna bën të ditur se po vazhdojnë të punojnë në daljen e raportit përfundimtar i cili cakton vlerën e përgjithshme të dëmeve.

Komuna e Rahovecit ende pa zgjidhje për dëmet nga vërshimet e shtatorit