Foto: BQK

Revokimi i licencës së kompanisë, ‘Kosova e re’, BQK njofton për vendimin e Apelit

Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se Gjykata e Apelit i ka dhënë të drejtë në lidhje me shtyrjen e ekzekutimit të likuidimit të kompanisë së sigurimeve, ‘Kosova e re’.

Sipas komunikatës, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se ‘gjykata e shkallës së parë nuk ka pasur parasysh përcaktimet ligjore të nenit 76 të Ligjit Nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, që përcakton imunitetin e Bankës Qendrore ndaj caktimit të masës së përkohshme gjyqësore’.

“Prandaj, procesi i likuidimit të K.S “Kosova e Re” vazhdon në përputhje me vendimin e BQK-së për revokimin e licencës sipas përcaktimeve të dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në  njoftim.

Avokati Besnik Nikçi i ftuar në emisionin, ‘KallxoPernime’, pati thënë se suspendimi i masës së sigurisë së vendimit për likuidimin e kompanisë duhet të ndodh.

“Për një vendim të tillë, gjykata ka vlerësuar që duhet të suspendohet njëherë masa e sigurisë, duhet të keni parasysh sa problematike është për një territor si Kosova ku funksionojnë çështjet e likuidimit, kemi rastin e ‘Insig’-ut”, shtoi ai.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti përmes një konference për media, kishte njoftuar se bordi ekzekutiv ka vendosur të revokojë licencën e kompanisë së sigurimeve, “Kosova e re”.

Mehmeti ka thënë se kjo ka ndodhur si shkak i mos përmbushjes se kushteve ligjore dhe gjendjes financiare të kompanisë së sigurimeve, “Kosova e re”.

Ndërkaq Naser Malokun nga kompania ‘Kosova e Re’, e ka quajtur të padrejtë vendimin e Bankës Qendrore.