Gjykata e Prishtinës pezullon revokimin e licencës për kompaninë e sigurimeve "Kosova e Re"

Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa ku janë duke raportuar përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës, është bërë e ditur se Gjykata Themelore e Prishtinës e ka pezulluar tërheqjen e licencës së kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti ka thënë se ky vendim do të apelohet në Gjykatën e Apelit.

“Do ta apelojmë në Gjykatë të Apelit. BQK ka respektuar të gjitha ligjet po flasim për një periudhë 9-mujore të administrimit dhe nuk ka pasur hapa konkret”, ka thënë Mehmeti para deputetëve të Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Nga anëtarët e Komisionit u ngrit si çështje se gjykata nuk mund të vendos një masë të përkohshme pa gjet shkelje.

Zv.guvernatori i BQK-së, Sokol Havolli ka thënë se në këtë masë të përkohshme të Gjykatës së Prishtinës është kërkuar që të pezullohet procesi i likuidimit të kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”.

“Vendimi i gjykatës përbën në vete shkelje ligjore sepse ligjet e BQK-së thonë se proceset e likuidimit pavarësisht vendimeve gjyqësore nuk mund të ndalen. Shkelje nuk është që përmendet në vendimin e gjykatës dhe natyrisht që vendimi do të apelohet”, ka theksuar Havolli.

Në muajin shtator, guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti kishte njoftuar se bordi ekzekutiv i BQK-së ka vendosur të revokojë licencën e kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”.

Mehmeti ka thënë se kjo ka ndodhur si shkak i mos përmbushjes se kushteve ligjore dhe gjendjes financiare të kompanisë së sigurimeve, “Kosova e re”.