Mbledhja e Asamblesë Komunale së Prishtinës

Partneri i koalicionit ‘tradhton’ Shpend Ahmetin për kioskat

Partneri qeverisës i Shpend Ahmetit në Prishtinë, ka vënë në dyshim idenë e ankandit për dhënien në shfrytëzim të kioskave në Prishtinë.

Lidhur me këtë ankand pati protesta nga shfrytëzuesit e tanishëm të tyre që po kundërshtojnë kushtet e këtij ankandi.

Këto kushte përfshijnë posedimin e 5 dyqaneve dhe fitimin deri në 5 milionë euro.

Lidhur me këtë patën kundërshtime thuajse të gjitha grupet partiake të asambleistëve, përfshirë AKR-në, që është partnere e koalicionit.

Sami Borovci nga AKR tha se kriteret e këtij konkursi duhet të vlerësohen edhe një herë.

“Shpallja publike që e kemi bërë parë kam disa vërejtje me të cilat mendoj si këshilltar komunal vlerësoj që me pa bazën ligjore nëse ky proces [duhet] me u kthy në komision edhe një herë. Çështjet e kritereve vlerësoj qe duhet me u shiku edhe njëherë, veçanërisht kërkesat e këtyre protestueseve”, tha ai.

Agim Gashi nga LDK po ashtu kërkoi pezullimin e këtij procesi.

“Kërkojmë që ky proces të pezullohet dhe të rishqyrtohet karshi kërkesave qe janë këtu dhe te shqyrtohet në harmoni me ta”, tha ai.

Egzoni Azemi nga Lëvizja Vetëvendosje madje paralajmëroi kallëzim penal ndaj Shpend Ahmetit.

“Këtu nuk ka fare interes publik por personal. Interesi i korporatave nuk duhet të jetë i komunës por i qytereavë. Kriteri i percaktuar që ti ketë 5 dyqane dhe ti ketë përftimin rreth 5 milionë euro e tregon qartë këtë. Si LVV do të ngrisim kallëzim penal ndaj Shpend Ahmetit sepse është shndërruar në shërbim te personave e jo të qytetarëve”, tha Azemi.

Migjen Shala nga PDK tha se kjo parti po ashtu nuk e përkrah këtë proces.

Pronarët e 36 kioskave në Prishtinë, për të cilat është shpallur ankand për tu vënë në shfrytëzim po protestuan sërish para Komunës së Prishtinës.

Me pankarta “ Ju jepet të varfërve për t’iu dhënë milionerëve, këta qytetarë janë mbledhur para Komunës së Prishtinës.

Ata janë lejuar që të futen brenda ku po mbahet mbledhja e Asamblesë Komunale.

https://kallxo.com/pronaret-e-kioskave-futen-ne-mbledhjen-e-asamblese-se-prishtines/