Paraqitje në Stacion Policor për Dy Deputetet

Donika Kadaj-Bujupi e Aida Dërguti gjatë muajit të ardhshëm do ta kenë të obliguar paraqitjen çdo të hënë në stacionin  e policisë afër vendbanimeve të tyre.

Këtë masë sigurie e caktoi sot për të arrestuarat e djeshme, Gjykata Themelore në Prishtinë.

Prokuroria kishte kërkuar arrest shtëpiak për to.

16:00

Përfundoi seanca ndaj dy deputeteve të VV-së, ndërsa gjykata do të vendosë më vonë për masën e sigurisë ndaj tyre.

Prokuroria ka kërkuar arrest shtëpiak për Donika Kadaj-Bujupin e Aida Dërgutin, dy deputetet e “Vetëvendosjes” që u arrestuan dje.

Në seancën e caktimit të masës së sigurisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokuroria i mbeti besnike kërkesës së saj.

Sipas gazetarit të KALLXO.com, deputetet Kadaj-Bujupi e Dërguti u mbrojtën në heshtje.

Avokatët e tyre të caktuar sipas detyrës zyrtare-Shpend Bokshi për mbrojtjen e Aida Dërgutit dhe Shemsie Sheholli për Donika Kadaj-Bujupin, kundërshtuan kërkesën e prokurorisë për arrest shtëpiak.

Gjyqtari, para se të përfundojë seanca, tregoi se për caktimin e masës së sigurisë, ose lirimin e deputeteve do të vendosë më vonë gjatë ditës.

15:35

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është duke u zhvilluar seanca e caktimit të masës së sigurisë ndaj dy deputeteve të VV-së.

Donika Kadaj-Bujupi e Aida Dërguti janë dërguar në gjykatë për seancën e caktimit të masës së sigurisë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar arrest shtëpiak për dy deputetet e arrestuara dje nën dyshimet për armëmbajtje pa leje.

Sipas prokurorisë Donika Kadaj-Bujupit dje i është gjetur sprej, ndërsa Aida Dërgutit gaz lotsjellës.

Gjykata ka ndaluar filmimin dhe fotografimin e deputeteve, ndërsa seanca për caktimin e masës së sigurisë është duke u zhvilluar.

Donika Kadaj-Bujupi u arrestua dje derisa po priste të hynte në seancën e kuvendit, ku njëra nga pikat e rendit të ditës ishte ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Edhe Daut Hoxha, zëdhënësi i Policisë së Kosovës tha dje për KALLXO.com se Donika Kadaj-Bujupit iu gjet gjatë kontrollit në hyrje një mjet i dyshimtë që dyshohet të jetë njëlloj spreji.

Edhe nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti u arrestua po dje.

http://kallxo.com/arrestohen-dy-deputete-te-vv-se/