Driton Selmanaj sfidon Kurtin për demarkacionin me Malin e Zi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka riaktualizuar çështjen e Demarkacionit në seancën e sotme të Kuvendit.

Selmanaj në një pyetje drejtuar kryeministrit, Albin Kurti, ka përmendur deklaratën e presidentes, Vjosa Osmani e cila ka thënë se çështja e kufijve ka përfunduar në parlament para disa vitesh, kur është ratifikuar në Kuvend.

Deputeti i LDK-së ka pyetur Kurtin se cili është qëndrimi i Qeverisë për këtë çështje, pasi sipas Selmanajt, kryeministri ishte zotuar se do të ketë rishikim të marrëveshjes së ratifikuar.

“Cili është qëndrimi i Qeverisë për këtë çështje. Pse qeveria nuk ka reaguar ndaj deklaratës së Osmanit, a do të thotë që pajtoheni edhe ju me këtë qëndrim?”- ka thënë Selmanaj.

Kurti në përgjgjen e tij tha se Kosova dhe Mali i Zi kanë një marrëveshje të nivelit të presidentëve që të bëhet rishikimi në kohën më të përshtatshme për të dyja palët.

“Ne si palë e Kosovës së bashku me Malin e Zi kur të pajtohemi që të vendosim shënjimin në terren pas analizës së raporteve duhet të bëjmë rishikimin sipas marrëveshjes dhe propozimit për ndryshimet e mundshme logjike dhe të pranueshme për të dyja palët. Jemi të gatshëm të koordinohemi me palën malazeze për veprime të mëtejshme” – deklaroi Kurti.

Selmanaj në kundër replikë ndaj kryeministrit tha se, në kohën kur ishte ratifikuar marrëveshja Kurti me sjelljet e tij kishte lënë qytetarët pa viza dhe kishte krijuar situatë të rëndë në Kosovë.

“Ju për këtë e keni kriju një situatë shumë të rëndë në Kosovë, e kEni vënë në pikëpyetje sigurinë individuale dhe kolektive të kësaj shoqërie, me sjelljet e juaja keni vënë në pikëpyetje edhe organet e rendit, i keni lënë njerëzit pa viza”- u shpreh Selmanaj.

Më pas, kreu i ekzekutivit tha se në atë kohë, deputetët kishin besuar që menjëherë do vijë liberalizimi i vizave.

Ai shtoi se nuk mund të bart barrën e qeverive të ma hershme por, u shpreh i gatshëm që në një moment të përshtatshëm të koordinohemi me Podgoricën për të rregulluar këtë çështjen e kufijve.

“Me 21 mars bëhen 5 vjet nga ai ratifikim, edhe unë jam i bindur që ratifikimi është realizuar në këtë Kuvend me çfarë unë nuk jam pajtuar e as nuk pajtohem për shkak se është besuar që menjëherë do vijë liberalizimi i vizave dhe po ta dinin deputetët që edhe pas ratifikimi nuk ka liberalizim, jam i bindur se nuk do i kishte 80 vota”- theksoi Kurti.

“Ne kemi thënë prisni pak se duhet korrigjim e shqyrtim paraprak para ratifikimit, kjo nuk është bërë. Nuk mund të bart barrën e qeverive të ma hershme mirëpo jam i gatshëm që në një moment të përshtatshëm të koordinohemi me Podgoricën zyrtare për të rregulluar këtë çështje. Momenti nuk është i përshtatshëm sepse është një kryeministër në detyrë dhe janë zgjedhjet”- shtoi ai.

Më tej, Selmanaj ju drejtua Kurtit duke i thënë se “me mashtrim dhe gënjeshtra ke bo standard që dikush me ardhë në pushtet”.

“Jam i bindur që nuk do merresh me këtë temë kurrë. Një ditë ki me u hekë edhe prej kryeministrit, besoj shpejtë por, një gjë që e ki vendos në Kosovë një standard është që mashtrimin dhe gënjeshtrën e ke bo standard që si dikush me ardhë dikush në politikë dhe në pushtet”- tha Selmanaj.

Për disa vite me radhë, opinion publik në Kosovë u përball pothuajse cdo ditë me debate e diskutime në lidhje me shënimin e vijës kufitare mes dy vendeve.

Opozita e atëhershme, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma kundërshtonin me aksione e protesta politike, brenda e jashtë institucioneve.

Por, përfundimisht, pas 3 viteve diskutime, marrëveshja e Demarkacionit u ratifikua në Kuvendin e Kosovës, pas një marrëveshje që e kishin nënshkruar presidentët e atëhershëm, Filip Vujanoviq dhe Hashim Thaci.

Në atë deklaratë të përbashkët, thuhej në mes tjeras se pas ratifikimit, do formohej një trup i përbashkët punues për shënjimin e vijës kufitare dhe do të korrigjonte gabimet e mundshme të komisioneve përkatëse.