Caktohet ekspertizë jashtë vendit në rastin ku ministria e Drejtësisë po akuzohet për posedimin e gazit lotsjellës

Gjykata e Prishtinës ka caktuar një ekspertizë balistike e cila do të përpilohet jashtë vendit në rastin ku të akuzuar janë ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, Pal Lekaj, Donika Kadaj- Bujupi dhe Besa Baftiu.

Këtë vendim e mori gjykata pasi që ekspertiza e cila ishte urdhëruar me parë drejtuar Agjencisë Kosovare të Forenzikës, nuk ishte bërë. Pasi që thuhet se në laboratorin e tyre nuk mund të bëhet një ekspertizë e tillë për mjetet e gjetura tek të akuzuarit.

“Trupi gjykues pas marrjes së njoftimit nga AKF, dhe duke u bazuar në sugjerimet e Gjykatës së Apelit por edhe në deklarimet e të pandehurve se për t`u vërtetuar fajësia apo pafajësia për veprën penale që ju vihet në barrë është e domosdoshme që të ketë një ekspertizë lidhur me mjetet e gjetura tek të pandehurit, trupi gjykues merr aktvendim që do të kërkohet ekspertizë jashtë shtetit me qenë se nuk bëhet në Agjencinë Kosovare të Forenzikës për mjetet e gjetura tek të pandehurit dhe për të konstatuar se çfarë janë ato në të vërtetë”.

Të akuzuarit në këtë rast u deklaruan lidhur me përgjigjen e Agjencinë Kosovare të Forenzikës për ekspertizën e urdhëruar nga gjykata.

Lidhur me përgjigjen e AKF-së, ministria e Drejtësisë Albulena Haxhiu, tha që nuk mund të gjykohen personat nga interpretime të prokurorit dhe duhet të ketë prova, fakte dhe ekspertizë.

“Sa i përket letrës nga AFK, konsideroj që ekspertiza në këtë proces gjyqësor është shumë e rëndësishme pra është thelbi i çështjes dhe konsideroj që nuk mund të kuptohet, gjykohen dënohen personat pa ekspertize të tillë. Pra nuk mund te gjykohen personat nga interpretimi i prokurorit duhet të ketë prova, fakte dhe ekspertizë. Prandaj ndonëse pas shatë vitesh i kërkoj prokurorit të dorëzohet që të tërhiqet nga aktakuza nuk është vonë asnjëherë të bëjë një veprim”- tha ministrja Haxhiu.

Gjithashtu deklaratë lidhur me përgjigjen e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë kishte edhe ish deputetja e Kuvendit të Kosovës, Donika Kadaj- Bujupi. Ajo tha që tash e shtatë vite po mbahen në proces gjyqësor pa dëshmitarë, pa prova dhe nuk ka ekspertizë balistike.

“Lidhur me provën, na po flasim për një provë të supozuar, lidhur me provën e supozuar nga prokuroria për të cilën ekspertiza e konfirmon që nuk ka kapacitete dhe potencial me dëshmu që bëhet fjalë për supozimin e prokurorit që na kena poseduar armë, pra na qe 7 vite po mbahemi në një proces ku nuk ka dëshmitarë, prova dhe nuk ka ekspertizë për provat e supozuar nga prokurori”- tha Kadaj- Bujupi.

Edhe Besa Baftiu tha që provat janë të supozuara nga prokuroria me qenë se nuk ka dorëzuar një të tillë në Agjencinë e Forenzikës.

“Agjencia për Forenzikë kjartë e ka sqaruar që nuk ka pas prova që materialin ta analizoj, qoftë nga prokurori apo nga gjykata apo nga policia që të bëjë ekspertizën po ashtu ka cekur që këto edhe me pas provë ato nuk i bëjnë një ekspertize të tillë në vendin tonë, që do të thotë se ato prova janë të supozuara nga prokuroria meqenëse nuk ka dorëzuar një të tillë në Agjencinë për Forenzikë të Kosovës për ekspertizë”- shtoi Baftiu.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, Arianit Koci tha që prokurori ka ngatërruar disa çështje bazike pasi që jo çdo gaz konsiderohet armë.

“Si duket prokuroria i ka ngatërruar, disa çështje bazike, e kam thënë edhe më herët, jo çdo gaz konsiderohet armë, fakt për këtë e keni gazrat që lëshohen në diskoteka këto nuk janë armë, dhe nuk janë të dëmshme, dhe duhet me u përcaktuar se çka është ajo për të cilën prokuroria pohon se është armë”- tha Koci.

Në këtë seancë ishte paraparë që të dëgjohej dëshmitari Destan Rukolli, por i njëjti mungoi.

Gjykata tha që do të kërkoj nga eprorët e Rukollit sqarim më të detajuar për mungesën e tij pasi që i njëjti kishte njoftuar gjykatën që është i angazhuar në një plan operativ.

Seanca është shtyrë për një kohë të pacaktuar deri në marrjen e ekspertizës e cila do të bëhet në ndonjë vend jashtë Kosovës.

Aktakuza e Prokurorisë ndaj tyre thotë se të akuzuarit Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi e Pal Lekaj, në shkurt të vitit 2016 kanë futur bombola të gazit në Kuvendin e Kosovës duke e kryer veprën penale – armëmbajtje pa leje.

Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, kundërshtonin marrëveshjen Kosovë-Mali i Zi për demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë -Serbi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.