Gjyqtarja Afijete Sada. Foto: Gjykata Themelore Gjakovë
Pas interesimit të KALLXO.com, Gjykata në Gjakovë dërgon në procedurë disiplinore gjyqtaren Afijete Sada
Për shkak të vonesave në përpilimin e aktvendimit për masën e sigurisë, Gjykata Themelore në Gjakovë, pas interesimit të KALLXO.com, ka dërguar në procedurë disiplinore gjyqtaren Afijete Sada.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës, Lekë Muqaj, i cili ka bërë të ditur se Sada është dërguar për procedurë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK).
Afijete Sada po gjykonte një rast civil në Gjykatën Themelore në Gjakovë.
Pala paditëse me inicialet V.B., kishte ngritur padi për caktim të masës së përkohshme të sigurisë, ndaj të paditurit me inicialet D.I., kontest ishin dy banesa në Gjakovë.
Seanca e fundit gjyqësore që është mbajtur për këtë lëndë, është ajo më datë 13 dhjetor 2021.
KALLXO.com është interesuar për këtë lëndë dhe pasi ka pyetur Gjykatën për këtë çështje, këta të fundit kanë konfirmuar se Sada është dërguar në procedurë displinore.
“Pas shikimit të shkresave të lëndës në fjalë, kemi vërejtur se gjyqtarja e çështjes Afijete Sada, ka rënë në vonesa sa i përket përpilimit të aktvendimit për masën e sigurisë. Rasti është regjistruar si procedurë disiplinore dhe e kemi dërguar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës” – ka bërë të ditur zëdhënësi i Gjykatës, Lekë Muqaj.