
Ministrja e Drejtësisë aktakuzën ndaj saj e quan politike
Ministrja Albulena haxhiu, Pal Lekaj, Donika Kada – Bujupi dhe Besa Baftiu janë ulur sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës.
Ndaj tyre sot është mbajtur rigjykimi për gazin lotsjellës në kuvendin e Kosovës, aksion ky i cili në atë kohë ishte bërë nga opozita për ta kundërshtuar demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të zi.
Të pafajshëm lidhur më veprat që ju vihen në barrë u deklarua Donika Kadaj – Bujupi, Pal Lekaj, Besa Baftiu dhe Albulena Haxhiu.
Kada-Bujupi tha që nuk ka asgjë për të shtuar krahas asaj që kishte thënë më parë.
“S`kam çka me shtu prej asaj që jam deklaruar vazhdimisht, e pa fajshme”- tha Kada- Bujupi
Tutje ajo tha që ndihen të dëmtuar nga ky proces i gjatë pasi që i është mohuar e drejta për kandidim.
“Unë nuk pash që prokurori prezantoi ndonjë provë në rastin tim meqë bëhet fjalë për shtatë vite, mua më është mohuar e drejta për kandidim….”- tha Kada-Bujupi
Kurse ministria e Drejtësisë tha që prezantimi i prokurorisë ishte më shumë si një shou dhe aktakuzën e prokurorisë e konsideroi si të pabazë, të padrejtë dhe politike.
“Në fakt prita që prokurori do të propozoj gjithçka veç e veç për secilin që ne jemi këtu, por nuk e bëri. Bëri më tepër një shou, se sa një prezantim të aktakuzës së tij, përveç se konsideroj se aktakuza është e pabazë e padrejtë dhe politike, kam prit që prokurori me u tërheq nga aktakuza por pse s`po e bën nuk e kam të qartë….”, tha ministrja Haxhiu.
Pas deklarimit të të pandehurve lidhur me fajësinë e tyre, në fazën e administrimit të provave prokuroria propozoi që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohej hetuesi i çështjes, Destan Rukolli dhe të administrohet si provë materiale vërtetimi mbi marrjen e përkohshme te sendeve.
Pas këshillimit dhe votimit gjykata i aprovoi propozimet e prokurorit të çështjes.
Seanca e radhës për këtë rast do të mbahet më datën 10 shkurt të këtij viti.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bashkë me tre ish-deputetë janë liruar nga akuza në lidhje me mbajtjen e kundërligjshme të gazit lotsjellës.
“Në emër të popullit mori vendim se të pandehurit, konform ligjit lirohen nga akauzat”- kishte thënë gjyqtarja Fatime Dërmaku.
Arsyetimi i gjykatës për vendosjen ndaj këtij rasti ishte se provat e paraqitura nga Prokuroria nuk provojnë kryerjen e veprës penale,
Pas këtij vendimi nga gjykata Themelore, prokuroria kishte paraqitur ankesë në gjykatën e apelit dhe rasti është kthyer në rigjykim.
Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj- Bujupi e Pal Lekaj, akuzoheshin se në shkurt të 2016-tës, kanë futur bombola të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës duke e kryer veprën penale armëmbajtje pa leje.
Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kundërshtonin marrëveshjen Kosovë – Mali i Zi për demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë – Serbi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ministrja Haxhiu dhe të tjerët përsëri në gjykim për gazin lotsjellës