VIDEO – Konjufca i kthehet demarkacionit, thotë se e diskutojnë vazhdimisht në takime me autoritetet malazeze

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca teksa ka folur për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, thotë se Kosova mund të kapet për letrën e presidentëve.

Sipas tij, çështja e korrigjimit të kufijve mund të kthehet nëse vendosen gurët në vijën kufitare.

“Është një premtim i presidentëve dhe ne e vlerësojmë se mundet me u kap Kosova për atë, ka bazë ligjore sepse marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë veç e bardha në të zezë se çka shkruhen, por janë edhe kur merren vesh krerët e shteteve që ajo me u rivlersu vija kufitare, nuk janë vendos gurët. Kur të vendosen, ne mendojmë që me u kthy dhe me u hapë edhe njëherë çështja e saj” – tha Konjufca në KallxoPërnime.

Kryeparlamentari tha se demarkacioni ngritet si çështje vazhdimisht në takime me autoritetet e Malit të Zi.

“Kjo është pak konfidenciale, por ngritet vazhdimisht në takime kur janë të brendshme dhe nuk janë domosdoshmërish me kamera, me autoritetet e Malit të Zi” – theksoi Konjufca.

“Ajo vjen kur të vjen çështja që definitivisht të kryhet vija kufitare dhe me qenë e legalizuar përmes gurëve të kufirit dhe ku vendosen vijat. Ajo nuk është vendos ende, por pritet me u vendos” – shtoi ai.