Kuvendi i Kosovës - Foto: KALLXO.com

PAN e Quan Arbitrar Vendimin e Mikullovcit

Në një njoftim të PDK-së thuhet se koalicioni PAN shpreh shqetësim për vendimin arbitrar të kryesuesit të seancës konstituive për vazhdimin e kësaj seance në ditën e enjte.

“Me këtë vendim të njëanshëm, kryesuesi i seancës konstituive është vënë në shërbim të plotë vetëm të një subjekti politik, duke shkelur edhe parimin mbi të cilin ka ndodhur takimi i kaluar konsultues mes subjekteve politike parlamentare”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, PDK akuzon Lëvizjen Vetëvendosje, pjesë e të cilës është edhe kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci, se janë të interesuar që ta thellojnë edhe më shumë bllokadën në Kuvendin e Kosovës dhe jo të gjejnë një zgjidhje të përbashkët me grupet e tjera parlamentare.

“Koalicioni i PDK-AAK-Nisma dhe i partnerëve të tjerë qëndrimin për vazhdimin e seancës konstituive do e jap pas takimit konsultativ të vendosur me pajtueshmëri mes shumicës së subjekteve politike për të mërkurën në orën 10:00”, thuhet më tutje në njoftim.

Sipas PDK-së, oferta për shmangien e krizës përmes votimit të kryeparlamentarit dhe kryeministrit të ri me marrëveshje politike, do të përkrahet prej shumicës së subjekteve politike parlamentare.

KALLXO.com raportoi më herët se kryesuesi i seancës konstituive Adem Mikullovci ka caktuar vazhdimin e seancës për të enjten më 10 gusht në orën 10:00.

Në rend dite është vetëm një pikë: Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Ky veprim i Mikullovcit vjen pas caktimit të një takimi konsultativ me partitë politike që është paralajmëruar për të mërkurën.

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë me dije se nuk do të marrë pjesë në këtë takim derisa PAN është koalicioni që kërkon me këmbëngulje një marrëveshje mes partive se kur duhet të thirret seanca e radhës.