Seanca konstituive e Kuvendit - LIVE

Kuvendi i Kosovës sot me fillim në orën 10:00, do mbajë seancën konstituive të legjislaturës së tetë.

Sipas agjendës, fillimisht do të formohet komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, dhënia e betimit të deputetëve, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.

Ndërkohë, gjatë kohëzgjatjes së seancës, mediat mund të qëndrojnë në ballkonin e sallës plenare, konform Rregullores për rendin dhe qasjen e mediave dhe të publikut në punën e Kuvendit.

Thirrja e seancës konstituive pason certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50 për qind të votave, duke siguruar 58 ulëse në Kuvend.

Partia Demokratike e Kosovës do t’i ketë 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tetë.

Pas konstituimit të Kuvendit, i hapet rruga formimit të Qeverisë së re.

Glauk Konjufca mbetet kandidat për kryetar të Kuvendit të Kosovës