Glauk Konjufca mbetet kandidat për kryetar të Kuvendit të Kosovës

KALLXO.com ka mësuar se Glauk Konjufca mbetet kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit të Kosovës.

Më 16 mars KALLXO.com raportoi se Konjufca është kandidat për kryetar të Kuvendit.

Konjufca është kandidati i dytë më i votuar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje me 200,646 vota menjëherë pas Vjosa Osmanit, e cila ka marrë në total 300,756 vota.

Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, seanca konstituive e legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës do të mbahet nesër me fillim prej orës 10:00.

Në këtë seancë, do të betohen deputetët e rinj si dhe do të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Glauk Konjufca pritet që sërish të jetë kryekuvendar, pasi e njëjta pozitë i ishte besuar në Qeverinë Kurti 1, ndonëse postin e mbajti vetëm për disa javë, për t’u emëruar më pas ministër i Punëve të Jashtme.

Pas Konjufcës, kryetare e Kuvendit në legjislaturën e shtatë ishte zgjedhur Vjosa Osmani, pak minuta pasi ishte votuar Qeveria me kryeministër Albin Kurtin më 3 shkurt të vitit 2020.

Vetëvendosje fitoi bindshëm zgjedhjet e 14 shkurtit duke marrë mbi 50 për qind të votave, të cilat i kanë siguruar 58 ulëse në Kuvend.