Komuna e Zubin Potokut, Foto: KALLXO.com

Krasniqi: Në Zubin Potok do të mbahet shumë shpejtë seanca konstituive

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka thënë se shumë shpejtë në Zubin Potok do të mbahet seanca konstituese e Kuvendit Komunal.

Ai në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se janë në kontakt me personat kompetent dhe brenda afateve ligjore do të mbahet kjo seancë.

“E dini që Komuna e Mitrovicës së veriut e ka mbajt takimin konstituiv edhe Komuna e Zubin Potokut, jemi në koordinim, jemi taku me zëvendëskryesuesin edhe nuk po e zbuloj datën se kur do të mbahet, por brenda afateve ligjore do të mbahet takimi konstituiv” – ka thënë ai.

Tutje i njëjti ka treguar se beson që zyrtarët përgjegjës të kësaj ministrie do të jenë pjesëmarrës në këtë seancë për të monitoruar atë.

Sa i përket rrugës deri në Zubin Potok, që është e bllokuar nga barrikadat, Krasniqi ka thënë se për ministrinë e tij është i rëndësishëm vetëm aspekti i monitorimit.

“Është me rëndësi veç aspekti i monitorimit të seancës, dikush tjetër është përgjegjës për me mundësu që na me qenë aty me e monitoru ose asamblistët me e mbajt seancën” – shprehet ai.

Tutje i pari i MAPL-së ka folur edhe për dy komunat e tjera me shumicë serbe në veriun e Kosovës, Leposaviqin dhe Zveçanin.

Ai ka thënë se këto dy komuna nuk kanë numër të mjaftueshëm të asamblistëve për zëvendësim dhe se në të njëjtat do të mbahen zgjedhjet e caktuara nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Dy komunat e tjera nuk kanë kuvende, nuk ka numër të mjaftueshëm, duhet të zëvendësohen, po mendoj mund të zëvendësohen veç me zgjedhje që është shpallur prej presidencës” – ka thënë ai.

Zgjedhjet që ishin paraparë të mbahen më 18 dhjetor 2022, me vendim të presidentes Osmani janë shtyrë për datën 23 prill 2023.

Para dy ditëve, më 14 dhjetor 2022, në Mitrovicën Veriore është bërë betimi i asamblistëve të rinj, ku një nga ta është i nacionalitetit serb, dhe dy të tjerë boshnjakë.

Më 5 nëntor 2022, në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, të ftuar nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq në një takim të përfaqësuesve politikë dhe institucional të serbëve të mbajtur në Zveçan, njoftoi për bojkotimin e institucioneve të Kosovës duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.

Zgjedhjet për këto komuna ishin planifikuar që të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, mirëpo më pas për shkak të tensioneve në veri u shtyen deri më 23 prill të 2023-ës.

Më 6 dhjetor 2022 kishte qenë e paraparë që zyrtarët e përzgjedhur të lartë komunal së bashku me zyrtarë të KQZ-së, MAPL-së të vendosen nëpër komunat me shumicë serbe.

Mirëpo, diçka e tillë nuk ishte lejuar pasi zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të vendit ishin demoluar.

Tensionet në veri tash e një kohë janë shtuar. Sot po bëhen gjashtë ditë që kur grupe të qytetarëve serbë kanë bllokuar rrugët kryesore në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok dhe në këtë mënyrë kanë pamundësuar në tërësi qarkullimin e lirë të qytetarëve.