Opozita: Asgjë nuk e Zbeh Protestën

Në një konferencë për gazetarë, aty ku dje u mbajtën fjalimet e protestës, kreu i “Vetëvendosjes” Visar Ymeri tha se qytetarët e Kosovës dëshmuan se nuk e duan qeverinë.

“Është një nga protestat më të mira që ka ndodhur në Kosovë dhe përmes saj qytetarët e Republikës së Kosovës e kanë dëshmuar  në mënyrë referendumi se janë kundër kësaj qeverie dhe se e duan këtë qeveri të hiqet sa më parë,” tha Yneri

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se protestën e 9 janarit nuk mund ta zbehë asgjë.

“Një protestë e tillë, me mesazhe të qarta, madhështore e paqësore, nuk mund ta zbehë askush dhe asgjë,” tha Limaj.

Limaj përmendi pastaj edhe mesazhet e protestës.

“Qytetarët e Kosovës dje në sheshet e Prishtinës quan dy mesazhe: se Kosova është aktive dhe nuk pranon të qeveriset nga një qeveri që e ka shkelë Kushtetutën; dhe se populli nuk i beson më kësaj qeverie. Kërkojmë dorëheqjen e kësaj Qeverie. Të dalim  nga kjo krizë politike dhe vendi të shkojë në zgjedhje, e kështu të bien të dy këto marrëveshje që janë kundërkushtetutese dhe kundër interesave të Republikës së Kosovës,” tha Limaj.

Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj tha se ka nisur koha e reflektimit për qeverinë.

“Dje qytetarët e Kosovës kanë kërkuar që Mustafa e Thaçi të shkojnë. Tani ora ka filluar, e koha numëron që këta të reflektojnë. Sot jemi këtu që t’iu themi të gjithë atyre që ishin dje fizikisht – faleminderit, dje ka qenë dita juaj”, tha Haradinaj.

Protesta e djeshme e opozitës eskaloi ende pa përfunduar fjalimet, kur një grup protestuesish filluan të gjuajnë policinë me mjete të forta dhe më pas edhe i vunë zjarrin një pjese të objektit të qeverisë.

Liderët opozitarë dje shprehën keqardhje për incidentet, ndërsa qeveria e dënoi ashpër atë që ndodhi.

http://kallxo.com/qeveria-dhune-nga-humbesit/

http://kallxo.com/limaj-keqardhje-per-incidentet/

http://kallxo.com/kurteshi-te-dhunshmit-nuk-jane-tanet/

 

Opozita dje kërkoi dorëheqjen e qeverisë, ndërsa që nga shtatori i vitit të kaluar është duke kërkuar tërheqjen e nënshkrimeve të ekzekutivit nga marrëveshjet për asociacionin dhe demarkacionin të nënshkruara më 25 e 26 gusht në Bruksel e Vjenë.